Rama zbulon emrin e kryenegociatorit të Shqipërisë me BE

Shpërndaje

Kryeministri Edi Rama zbuloi emrin e kryenegociatorit shqiptar në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, në konferencën e përbashkët me ambasadorin europian Luigi Soreca, në ditën e Europës.

Gjithçka teksa tha se Shqipëria po përgatitet për negociatat e anëtarësimit.

“Të gjithë duan integrimin e Shqipërisë në BE. Kemi ngritur edhe grupin negociator. Është momenti për ta thënë të emrin të kryenegociatorit, një personalitet pa të sharë, edhe pse nuk ka hezituar të kritikojë edhe qeverinë tonë, kjo është një arsye më shumë për ta përfshirë në këtë proces. Një personalitet i diplomacisë shqiptare, i gjithëpranuar për dijen dhe aftësitë e tij, qoftë kur ka kryer misione, qoftë kur ka kryer detyra të rëndësishme, ambasadori Zef Mazi. Ai do të jetë kryenegociatori. Shpresoj me opozitën parlamentare dhe jo parlamentare dhe Presidentin të japim të gjithë një kontribut”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se tani që kërkohet përgatitja serioze për konferencën ndërqeveritare, plani i punës është i detajuar dhe duhet të vazhduar të konsultohet hap pas hapi.

Sipas tij, këtu duhen të gjithë aktorët, edhe pse qeveria mban peshën kryesore.

Në këtë drejtim Rama u shpreh i gatshëm për të takuar Presidentin Ilir Meta dhe kryedemokratin Lulzim Basha.

“Ne jemi gati për t’u ulur në një tryezë të gjerë me Presidentin, kryetarin e opozitës dhe të gjithë aktorët e tjerë përfaqësues të institucioneve të pavarura, të drejtësisë, Në një tryezë ku të shprehim vullnetin e përbashkët, secili të bëjë detyrat e veta, jo për t’u imponuar të tjerëve që të bëjnë detyrat e tyre, por për një mesazh të fortë uniteti kombëtar në këtë proces, që deri më sot nuk më rezulton se ka një mendje tjetër”, tha Rama.

Lidhur me situatën e koronavirusit, ai tha se jemi të rrezikuar nga injoranca, papërgjeshmëria dhe mungesa e durimit, nga teoritë se virusi është komplot ndërkombëtar dhe grip i zakonshëm.

“Ne nuk do të mbyllemi nga frika, por duhet të shmangim rimbylljen nga papërgjegjshmëria dhe injoranca”, deklaroi Rama. /a.y/noa.al