Shtetet e Baltikut rihapin kufijtë me njëra-tjetrën

Shpërndaje

Kryeministrat e Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë – që të tria vende të Bashkimit Evropian – thanë se do të krijojnë një “fluskë udhëtimi” brenda bllokut, duke hapur kufijtë për qytetarët e njëri-tjetrit nga data 15 maj. Vendet e BE-së i kanë mbyllur kufijtë në mars, për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Zona e udhëtimit në Baltik do të jetë e para e këtij lloji në bllokun 27-anëtarësh, ku shumica e shteteve ua kanë ndaluar hyrjen të huajve.

Letonia, Lituania dhe Estonia kanë vendosur karantina të detyrueshme për secilin që ka shkuar atje për arsye që nuk lidhen me punën.

“Jemi pajtuar se të tria shtetet e Baltikut e kanë frenuar siç duhet përhapjen e koronavirusit dhe ne u besojmë sistemeve shëndetësore të njëra-tjetrës”, tha kryeministri i Lituanisë, Saulius Skvernlis.

“Andaj, nisur nga 15 maji, ne do t’i heqim të gjitha kufizimet për qytetarët e Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë”, tha ai, për të shtuar se udhëtarët nga vendet e tjera do të duhet të vetizolohen për 14 ditë. Tri vendet baltike janë anëtare të BE-së qysh në vitin 2004, ndërsa zonës së lëvizjes së lirë, Schengen, i janë bashkuar më 2007./REL/