Tetovë, kanalizimi i hapur në lagjen Dardania! Qytetarët ankohen, komuna ka projekt, por punët askund

Shpërndaje

Banorët e lagjes Dardania në qytetin e Tetovës për çdo ditë janë duke e duruar erën kundërmuese të një pjese të kanalizimit të qytetit. Rreth 25 metra kanalizim është i hapur në këtë lagje. Autoritetet komunale për vite të tëra nuk kanë gjetur zgjidhje për këtë problem. Banorët kërkojnë nga komuna që sa më shpejt të zgjidhet pasi nuk i le të qetë në shtëpitë e tyre. “Kemi kërkuar nga autoritetet komunale që të vijnë dhe të zgjedhin problemin e këtij kanalizimi të hapur i cili me vite të tëra po pengon banorët e lagjes “Dardania” nga ku kundërmon erë e keqe dhe e padurueshme veçanërisht në ditët e verës, mirëpo nuk kemi hasur në mirëkuptimin e autoriteteve komunale”, tha Artan Etemi, banor i lagjes “Dardania”.

“Realisht pengon shumë sidomos në kohën e verës kur temperaturat ngriten, është një erë e padurueshme që na pengon tepër natën edhe dritaret nuk mund ti mbajmë hapur se kundërmon erë shumë e keqe”, tha Besnik Mustafi, banor i lagjes “Dardania”.

Nga komuna e Tetovës thonë se tashmë kanë projekt që përfshin shtratin e lumit si dhe rrugën në këtë pjesë të kësaj lagje, por për shkak të pandemisë dhe për shkak të zgjedhjeve punimet kanë ngelur pa filluar. “Për rajonin në fjalë, në lagjen Dardania që përfshin dhe rrugën “29 Nëntori” kemi projekt final i cili është në kofinancim edhe me Qeverinë ose Ministrinë për implementimin e jetës së etnitetit rom por që pranvera e këtij viti na ka zënë fillimisht me shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme e më pas edhe Pandemia me Covid 19”.

Banorët e kësaj lagje druajnë se gjatë verës mund të paraqitet ndonjë epidemi, pandemia e Covid 19 ka bërë që ata të jenë edhe më të frikësuar për jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Derisa Qeveria dhe komuna të zgjidhin këtë problem, banorët e lagjes “ Dardania” do të duhet të zgjohen dhe të bien në gjumë me erën e kanalizimit të qytetit të Tetovës./TV21