Tragjike në Pakistan/ Rrëzohet avioni me 107 persona në bord (Video)

Shpërndaje

Një avion me 99 pasagjerë në bord dhe 8 persona ekuipazh është rrëzuar kur po fluturonte nga Lahore për në Karaçi. Mediat shkruajnë se avioni në Pakistan u rrëzua pasi është përplasur tek një ndërtesë afër Aeroportit të Karaçi.

Mësohet se avioni ishte në një shërbim rutinë dhe kryente fluturime midis dy qyteteve më të mëdha të vendit.

Airbus A320 ishte pothuajse në fund të një fluturimi rutinë 90-minutësh, kur u rrëzua afër Aeroportit Ndërkombëtar Jinnah të Karaçit.

Sipas kanalit televiziv shtetëror PTV, avioni u rrëzua në një zonë të banuar afër aeroportit të quajtur Model Colony.

Punonjësit e shpëtimit janë duke evakuuar banorët e zonës. Por rrugët e ngushta në zonë e bënë të vështirë punën për ambulancat dhe automjetet zjarrfikëse.

“Avioni u rrëzua në Karaçi. Ne po përpiqemi të konfirmojmë numrin e pasagjerëve, por fillimisht bëhet fjalë për 99 pasagjerë dhe 8 anëtarë të ekuipazhit,” tha Abdul Sattar Khokhar, zëdhënësi i autoritetit të aviacionit në Pakistan.

Avioni ishte gati të ulej kur u rrëzua pranë Model Colony, një lagje e Karaçi rreth 3.2 km në veri-lindje të Aeroportit Ndërkombëtar të Jinnah.