U tha, por nuk u bë! Ku mbeti poliklinika e premtuar në Saraj nga Blerim Bexheti dhe BDl-ja? (Video)

Shpërndaje

Në shkurt të vitit 2019 kryetari i komunës së Sarajit Blerim Bexheti bashkë me ish zëvendësministrin e shëndetësisë Asim Musa u thanë banorëve të Sarajit se shumë shpejt do të bëhen me poliklinikë.

Asim Musa ish-zëvendësministër i shëndetësisë:

“Projekti për poliklinikën e Sarajit është futur si prioritet në Ministrin e Shëndetësisë. Në buxhetin e vitit 2019 janë ndarë mjete me vlerë 40 milion denarë. Projekti është i gatshëm i reviduar.

Blerim Bexheti Kryetar i Komunës së Sarajit:

“Duke pasur parasysh që kemi punuar dhe kemi qenë në komunikim permanent me të gjitha institucionet dhe sot konstatuam se kemi kryer fazën më të rëndësishme”.

U tha se në korrik të vitit 2019 do të fillojnë punimet për poliklinikën e Sarajit.

Sot jemi në maj të vitit 2020 por punimet nuk shihen askund.

Për ta kuptuar se çfarë u bë me ndërtimin e poliklinikës, kontaktuam edhe zëvendësministrin e shëndetësisë Armend Arsllani. Ai tha se mjetet për ndërtimin e poliklinikës janë gati dhe pritet ndërtimi i saj.

“Për poliklinikën në Saraj dua të theksoj se tani më është bërë projekti. Është bërë revidimi i projektit gjithashtu është shpallur edhe tenderimi. Në këtë projekt kanë konkurruar tre ndërmarrje për ndërtim. Është bërë gjithashtu edhe evaluimi i ofertave për ndërtim. Të gjitha procedurat e nevojshme kanë mbaruar”, tha Armend Arsllani Zv ministër i Shëndetësisë.

Zëvendësministri i shëndetësisë tha se shumë shpejt do të fillojë ndërtimi i objektit, ndërsa njëra prej arsyeve për zvarritje është edhe situata e krijuar nga virusi Kovid 19.

U munduam të kontaktojmë edhe me kryetarin e komunës së Sarajit Blerim Bexhetin por ishte i pakapshëm. Siç ishte paralajmëruar, objekti i poliklinikës duhej të kishte 1500 metra katrorë, ndërsa sipërfaqja bashkë me oborr, park dhe parking 30 mijë metra katrorë. Komuna e Sarajit deri tani asnjëherë nuk ka pasur një poliklinikë dhe urgjencë, ndonëse aty jetojnë 39 mijë banorë./TV21