Ulet çmimi për kyçje të ngrohjes qendrore për objektet e reja

Shpërndaje

Çmimi për kyçje të ngrohjes qendrore është ulur për 37 për qind, pra nga 3,180 denarë në 2,000 denarë për kilovat të instaluar, kumtoi sot drejtori i Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRE), Marko Bislimovski.

Sipas Bislimovskit, kjo masë stimulon investitorët që të lidhen me sistemet ekologjike, por edhe të rritet numri i përdoruesve, gjë që do ta ulë çmimin e energjisë termike tek konsumatorët.

“Pas uljes së çmimit për lidhjen e energjisë elektrike nga 500 euro në 370 euro, sot e kemi ulur çmimin për kyçje të objekteve të reja që do të lidhen në periudhën tjetër. Me këtë ne vazhdojmë të japim sinjale deri te investitorët që t’i përmbahen sistemeve ekologjike, ndërsa duke e marrë parasysh që prodhimi i energjisë termike në Shkup është me gaz natyror, ne japim një sinjal edhe më të madh për ta rritur numrin e konsumatorëve të lidhur me këtë sistem, ndërsa me rritjen e numrit ne duam t’i ulim çmimet e energjisë termike tek konsumatorët”, deklaroi Bislimovski në konferencë për shtyp.

Ai paralajmëroi se me rregullat e reja të rrjetit për shpërndarjen e energjisë elektrike, KRE do të kryejë kontroll të intensifikuar të funksionimit dhe mirëmbajtjes së sistemit për shpërndarjen e energjisë termike të cilin vet e mbante operatori. Tani ato do të miratohen nga KRE-ja.

“Vazhdojmë të prezantojmë mënyra të reja të kontrollit të kompanive që shpërndajnë energji termike”, nënvizoi Bislimovski.

Sipas analizës më të fundit të KRE-së, në Shkup çmimi i energjisë termike është më i ulëti në krahasim me qytetet e tjera kryesore në rajon.

KRE, shtoi ai, është në kontakt me BEG, disa prodhues të kalorimetrave dhe me qeverinë për të gjetur mënyrën më ekonomike për të vendosur kalorimetra në ndërtesat me sisteme horizontale.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Bislimovski theksoi se ka ankesa nga konsumatorët për KRE-në për faturat e larta të energjisë elektrike.

Sipas tij, të gjithë konsumatorët që janë çkyqur nga EVN -ja, ndërsa u drejtuan te KRE, janë kyçur përsëri. Nga ana tjetër, ata që kanë pasur borxhe të mëdha për energjinë elektrike para krizës, nga 400,000 deri në 500,000 denarë duhet të tregojnë mirëkuptim dhe t’i mbulojnë ato.

“Ne insistojmë që EVN-ja të tregojë mirëkuptim, veçanërisht për ndërtesat tregtare. Nënshkruhet menjëherë një marrëveshje për t’i paguar shpenzimet në këste dhe më pas kyçen. Sigurisht, ka raste karakteristike të cilat para krizës kishin borxhe prej 400,000 – 500,000 denarë dhe ata qytetarë duhet të tregojnë mirëkuptim se duhet t’i mbulojnë shpenzimet e tyre të energjisë elektrike”, tha Bislimovski, duke theksuar se interesi në këste nuk do të paguhet për muajt sa zgjatë gjendja e jashtëzakonshme.

Pagesa e EVN-së është rreth 95-96 për qind, ndërsa konkretisht në sektorin e amvisërisë 92 – 93 për qind.

Bislimovski përsëri tha që borxhlinjtë duhet të bëjnë çmos për t’i shlyer faturat, ndërsa paguesit e rregullt duhet të shpërblehen.