Vetëm për ata që skanojnë me aplikacionin “TVSH-ja ime” do të vlejë fundjava pa TVSH

Shpërndaje

Fundjava pa TVSH, të cilën qeveria e prezantoi si masë për të ndihmuar ekonominë dhe qytetarët, do të nis të zbatohet pasi të fillojë të shuhet epidemia. Sipas vlerësimeve fillestare, kjo masë do të nis të aplikohet në fund të muajit gusht ose në fillim të muajit shtator. Vetëm qytetarët që përdorin aplikacionin “TVSH-ja ime” do të kenë të drejtë ta përdorin këtë masë, njoftoi këshilltari i kryeministrit, Fatmir Bytyqi.

I pyetur nëse kjo masë do të shkaktonte tubime masive të qytetarëve dhe në këtë mënyrë të rriste rrezikun për infeksion me koronavvirus, Bytyqi tha se do të monitorojnë zhvillimin e epidemisë dhe do të respektojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore. Sipas tij rreziku për abuzime, respektivisht për evazion fiskal në këtë rast është minimal.

“Kjo masë pritet të realizohet në fund të gushtit dhe fillimit të shtatorit, me shpresën që pandemia derë atëherë të shuhet. Sigurisht, nëse në atë periudhë ka rekomandime për të mos u tubuar, do të shihet mundësia për realizimin e kësaj mase në një periudhë tjetër kohore. Nuk do të krijojmë masa që do të rrezikojnë jetën e qytetarëve”, deklaroi Bytyqi.