Zaev: Të shfrytëzohet lehtësimi nga koronavirusi dhe stabilizimi i pandemisë dhe të shkohet në zgjedhje më 14 qershor

Shpërndaje

Të shfrytëzohet momenti i stabilizimit të koronavirusit dhe pandemisë dhe të shkohet në zgjedhje në mes të qershorit, më saktë më 14 qershor, është qëndrimi i përbashkët i koalicionit “Mundemi” që u formua në mbledhjen e sotme të kryetarëve të partive nga koalicioni në selinë e LSDM-së, i cili do të prezantohet në takimin e liderëve të martën te presidenti Stevo Pendarovski.

“Arritëm në përfundim se shtetit i duhen zgjedhje posa të krijohen kushtet për mbajtjen e tyre. Nëse infeksioni vazhdon të bie, kjo më së miri është në aspektin shëndetësor dhe ekonomik. Është mirë të mbahen në kushte të tilla të mos rrezikohet shëndeti i qytetarëve, veçanërisht pasi që në vjeshtë pritet pik i ri. Kjo do t’i jepte shtetit mundësinë që të përgatitet më mirë për valën e re me Kuvend dhe institucione funksionale”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev pas takimit.

Kjo, siç theksoi, do t’i jepte mundësi shtetit që më mirë të përgatitet për valën e re me qeveri të zgjedhur politike dhe Kuvend dhe institucione funksionale që ekonomikisht më mirë të ballafaqohet me pasojat, dhe shtoi se nëse përsëritet kriza do të mbetemi jashtë çfarëdo lloj mundësish kushtetuese.

Kriza me koronavirusin, potencoi, la pasoja serioze në ekonomi dhe për këtë, siç tha, nevojitet Kuvend dhe Qeveri me legjitimitet që të mund të ndërmarrin hapa adekuat për tejkalimin e krizës ekonomike. Sipas tij, edhe shtete të tjera të rajonit në periudhën e lehtësimit të pandemisë shkojnë në zgjedhje, ndërsa inkurajon edhe fakti që Misioni i ODIHR mund të organizohet dhe të dërgojë vëzhgues.

“Vendi ynë ka marrë masa në kohë dhe mirë është duke u ballafaquar me virusin, por ne nuk kemi nevojë për t’u çliruar dhe kjo është arsyeja pse ne u bëjmë thirrje qytetarëve që t’i respektojnë të gjitha rekomandimet”, tha Zaev.

Në takimin e liderëve te Pendarovski pret që të arrihet konsensus dhe të definohet data për mbajtjen e zgjedhjeve sipas rekomandimeve të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse dhe të flitet për mënyrën e udhëheqjes së fushatës.

I pyetur se kur mund të mbahen zgjedhjet, lideri i LSDM-së tha se kjo duhet të bëhet sipas rekomandimeve të komisioneve shëndetësore, ndërsa partitë bashkë të merren vesh dhe t’i precizojnë hollësitë se si do të organizohen zgjedhjet.

“Ekzistojnë rekomandime që janë menduar deri më tani në botë dhe në vend për organizimin e zgjedhjeve. Nuk besoj se ka nevojë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, por nuk jam ekspert, le ta thonë juristët për shkak të bartjes së maskave dhe identifikimit të votuesve. Unë besoj që me një maskë në fytyrë dhe dezinfektues në hyrje dhe dalje këtë mund ta rregullojmë, por unë ia lë komisioneve të ekspertëve shëndetësor ta thonë këtë”, tha Zaevi dhe shtoi se nuk është mirë të shkojmë në zgjedhje në temperatura 40 gradë kur rrugët janë bosh dhe njerëzit janë jashtë shtetit për pushime.

I pyetur nëse pret një fushatë të ndyrë, Zaevi tha se nuk dëshiron dhe shpreson se nuk do të ketë fushatë të ndyrë, duke shtuar se qytetarët në mënyrë dominuese dhe të pakrahasueshme i kushtojnë më shumë vëmendje asaj që ofrohet si program dhe si kuadër sa i përket vendimit të tyre, se sa fushatave negative. Ai bën thirrje që të shmanget një mënyrë e tillë e fushatës.