​Jashari para qytetarëve prezanton punën dhe investimet milionëshe në Skenderaj

Shpërndaje

I pari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, sot ka mbajtur takimin e parë publik për këtë vit me qytetarët e komunës, ku ka folur rreth punës që është bërë brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti.

Kryetari Jashari, në këtë takim vuri theks të veçantë tek projektet që janë realizuar me sukses dhe ato të cilat janë në fazën përfundimtare të finalizimit të tyre.

Jashari bëri të ditur se për shkak të pandemisë dhe situatës që ka krijuar ajo, fokusi kryesor prej kohës kur është shfaqur, fokusi kryesor ka qenë tek përkrahja e familjeve në nevojë, duke i ndihmuar mbi 4 mijë familje me pako ushqimore, dy herë radhazi nga buxheti i komunës por edhe falë përkrahjes së donatorëve të shumtë të cilëve sipas tij nuk u mungoj vullneti dhe dëshira për të ndihmuar.

Për të ruajtur shëndetin e tyre, Jashari njoftoi qytetarët që vazhdimisht në dyqane janë bërë kontrolla dhe janë konfiskuar produktet të cilave u ka skaduar afati, por edhe janë gjobitur marketet e barnatoret të cilat kanë vendosur çmime artificiale, pikërisht në kohën e pandemisë.

Në fushën e arsimit, në këtë takim, Jashari i prezantoj projektet të cilat kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mësim nxënies duke punuar kështu në ndërtimin e objekteve të reja shkollore e poligoneve sportive.

“Prioritet i kësaj qeverisje është sektori i bujqësisë, e që vetëm brenda këtij viti janë mbështetur dhe me tutje do të mbështeten 500 fermerë, e që vlera totale buxhetore kap shifrën 400 mijë euro, bashkë me ndihmën e donatorëve”, tha kryetari Jashari.

Sipas një komunikate të komunës së Skenderajt, gjatë kësaj periudhe kohore janë realizuar projekte të shumta infrastrukturore si: Asfaltimi i rrugëve në zonat urbane të qytetit dhe të fshatrave: asfaltimi i rrugës që lidh Rezallën e Re me atë të Vjetër, Aqarevë, Aqarevë-Plluzhinë, Izbicë, Kopiliq i Ulët, Klinë e Epërme, Polac, Prekaz, Turjan, Kuicë, Ternavc, Runikë, Mikushnicë, Baks, Qirez, Kotorr, Qubrel, Syriganë, Pemishtë e Terrnovë.

Për zonën urbane dhe për fshatrat që kanë probleme me ujë të pijshëm dhe kanalizim, Jashari tha para qytetarëve se që nga ardhja e tij në krye të komunës, është duke u punuar në këtë aspekt. Ku vetëm brenda këtyre gjashtë muajve në pesë fshatra është përuruar projekti i ujësjellësit dhe në pesë fshatra të tjera është në fazën përfundimtare. Kurse falë bashkëpunimit me Qeverinë Zvicerane, në 10 fshatra të komunës sonë, ka filluar instalimi i gypit kryesor të ujësjellësit.

Por projekti që mund t`iu jep fund halleve të qytetarëve sa i përket ujit të pijshëm është penda e Kuçicës, projekt të cilin Kryetari Jashari, është dukë bërë përpjekje të mëdha që ta jetësoj me ndihmën e donatorëve.

“Pas ardhjes sime në udhëheqje të komunës, kam ri-aktualizuar, projektin e pendës së Kuçicës dhe jemi duke kërkuar donatorë e investitor për të realizuar këtë projekt strategjik për komunën tonë i cili do të siguroj ujë të pijshëm 24 orë për banoret e komunës sonë, por edhe të Drenasit dhe një pjesë të Malishevës”, tha Jashari.

Në anën tjetër fokus të veçantë Qeverisja Jashari, i ka dhënë edhe mjedisit dhe mbrojtjes së tij duke eliminuar deponitë ilegale të mbeturinave e duke pajisur ekonomitë familjare me kontejnerë për mbeturina, po ashtu duke mirëmbajtur zonat e gjelbërta por edhe krijimin e tyre në hapësira të qytetit, ku në këtë kohë është përuruar edhe zgjerimi i sheshit “Adem Jashari” dhe është gjelbëruar qyteti me fidane dhe lule.

Kreu i komunës, në këtë takim me publikun, përmendi edhe projektin e poligonit multifunksional, i cili është në realizim e sipër e që përveç fushave sportive në të do të këtë vend parkingje të mjaftueshme për vetura.

“Fusha sportive është përuruar edhe në Bashkësinë Lokale të Runikut, ndërsa janë nisur procedurat për vazhdimin e ndërtimit të palestrës sportive në qendër të qytetit”, tha tutje Jashari, teksa numëroi projektet e shumta që janë realizuar dhe janë në proces, të sektorit së kulturës.

Duke pasur parasysh situatën emergjente që është tani në vend, Jashari, potencoi se ekipet sportive vendase janë përkrahur me mjete financiare në vlerë totale prej 40 mijë euro.

E në anën tjetër qytetarët duke falënderuar kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharin, për realizimin e premtimeve që ka dhënë, shprehen edhe problemet me të cilët ata përballen në jetën e tyre të përditshme si mungesa e ujit të pijshëm e problemi i kanalizimit në vendet e tyre.

Probleme këto për të cilat kryetari Jashari u zotua që edhe përkundër limiteve buxhetore të krijuara nga pandemia COVID-19, komuna do të bëjë të pamundurën që këto probleme të zgjidhen brenda një periudhe sa më të afërt kohore.