A KENI PARË E DËGJUAR ÇFARË MUND TË SAJOJË INJORANCA PSEUDOSHKENCORE DHE SHOVINISTE?

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Për emërtimin e shpifur nga disa pseudoshkencëtarë sllavë të Maqedonisë: “Gadishulli Maqedonas” (Македонски полуостров)

Ky term është përdorur në disa shkrime e studime nga autorë sllavë nga Maqedonia, i cili, jo vetëm që duket tepër i çuditshëm, joreal dhe jologjik, por në vete përmban edhe urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve autoktonë dhe banorëve me përkatësi të tjera kombëtare në Gadishullin Ilirik, ose siç quhet aktualisht Gadishulli Ballkanik.

Asnjë autor vendës apo i jashtëm, nga antika deri në ditët e sotme, as edhe rastësisht nuk e ka përmendur një emërtim të këtillë për gadishullin në të cilin janë krijuar disa shtete dhe jetojnë sot dhjetëra popuj.

Që nga lashtësia e hershme, sa njeh historia e njerëzimit, rajoni gjeografik i Maqedonisë nuk ka nënkuptuar territor që përfshin më tepër se një pjesë të Greqisë së sotme (Maqedonia e Egjeut), një pjesë të Maqedonisë Veriore të sotme (Maqedonia e Vardarit) dhe një pjesë të Bullgarisë së sotme, të njohur si Maqedonia e Pirinit.

Edhe në periudhën mëhershme, e as gjatë sundimit të mbretit të Maqedonisë së lashtë, Filipit të II, as pas zgjerimit të kësaj mbretërie nga Leka i Madh (Aleksandri) Maqedonia nuk është shtrirë përtej këtij territori; asnjëherë nuk ka prekur brigjet e Adriatikut, të Detit Jon, apo të Detit të Zi. Territori i Maqedonisë kurrë nuk ka përfshirë vise t e banuara historikisht nga fiset ilire, Dardanët, Pajonët, Pellagonët, jo më të jetë shtrirë deri në Malin Sharr, siç pretendojnë këta pseudoshkencëtarë e studiues, madje Maqedonia e lashtë nuk e ka përfshirë as gjysmën e territorit të Maqedonisë Veriore të sotme.

Për ta zëvendësuar emërtimin Gadishullit Ilirik, apo siç njihet më vonë Gadishulli Ballkanik, me një emërtim të paqenë, të sajuar në mënyrën më naive të mundshme “Gadishulli Maqedonas” , as logjika e një të marri nuk e gëlltit. Këta studiues kanë mundur së paku të hapin hartat, qoftë edhe ato më të thjeshtat shkollore, për të parë se ku fillon e ku mbaron Gadishulli Ilirik (Ballkani).

Qasja e këtillë e disa pseudoshkencëtarëve sllavë të Maqedonisë, duke marrë nxitje, mësim dhe ushqim nga propaganda borgjeze serbe, ekspansioniste ruse, hegjemoniste greke e bullgare, me frymë mesjetare mbi të kaluarën dhe të sotmen e Gadishullit Ilirik, duke e mashtruar rëndë vetveten dhe opinionin vendës. Nëse këta studiues naivë dhe propagandues primitiv, vet mund t’i besojnë kësaj rrene me bisht, nuk ka si të kuptohet ndryshe nga qarqet shkencore në botë, përveç nivelit gazetaresk, pamfletist, propagandues dhe të çakërdisur të studimeve të këtilla pseudoshkencore mbi historinë e këtij rajon, të shteteve dhe popujve që jetojnë në vazhdimësi me mijëvjeçarë në këto hapësira.

Në Maqedoninë Veriore të sotme, secili mund ta ndjejë veten si të dëshirojë dhe ta deklarojë përkatësinë e vet etnike sipas bindjeve personale; si pasardhës të fisit të lashtë maqedonas, si pasardhës të pajonëve apo pellagonëve, por ta ndjesh veten me përkatësi etnike sllave, ta flasësh një dialekt të gjuhëve sllave si gjuhë amtare dhe njëkohësisht të pretendosh se je pasardhës i maqedonasve të lashtë dhe “biri i Zotit”, madje edhe i “Gadishullit Maqedonas”, këtë nuk e toleron asnjë parim shkencor dhe moral, as mendja e shëndoshë e njeriut!

Lavdi marrisë!