Ali Ahmeti bën thirrje: Të bashkohemi, qytetarë e parti, për kryeministrin e parë shqiptar

Shpërndaje

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot në një paraqitje para popullit shqiptar, iu drejtua popullit shqiptar se në Maqedoninë e Veriut ka ardhur koha për kryeministër Shqiptar.

Ai tha se të gjithë duhet të bashkohen dhe së bashku do ta shkrujanë historinë për të ardhmen e fëmijëve.

“Së bashku, ne do të shkruajmë historinë për ta bërë ardhmërinë. Së bashku mund t’i tregojmë botës, se vendi ynë mund të jetë me të vërtetë një shoqëri, ku të gjithë mund të realizojnë ëndrrat e tyre dhe të ndjehen të barabartë. Një vend ku një shqiptar ose një shqiptare mund të bëhet Kryeministër dhe të jetë udhëheqës i denjë që garanton partneritetin e përhershëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Kjo është ajo që dua t’u mundësojë fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona:

Besimi se ne mund të arrijmë gjithçka që ëndërrojmë.

Dhe për këtë, duhet të bëhemi bashkë!

Kjo ide është shumë më e madhe se çdo parti apo cilido person. Kjo ide nuk ka të bëjë me BDI-në dhe sigurisht jo me mua. Une jam këtu për tia vazhduar jetën procesit, që ti prij konceptit, që të bëhem urë dhe të shtroj rrugë duke krijuar rrethanat për realizimin e ëndrrës, ndërsa ju mbetet juve që ta zbatoni. Unë po mbjell, që ju të korrni. Unë po ëndërroj që ju të realizoni. Unë po guxoj që ju ta bëni.

Kur jemi bashkë, jemi shumë të fuqishëm.

Kjo është një kauzë kombëtare shqiptare. Kjo është ëndrra jonë kombëtare. Endrra e barazisë së plotë, ëndrra e një shoqërie që fjalët i kthen në vepra.

Kryeministri i parë shqiptar do të jetë një Kryeministër për të gjithë. Një Kryeministër i barazisë: Vendeve të barabarta të punës, pagave të barabarta. Të drejtave të barabarta dhe i drejtësisë joselektive. Për shqiptarët dhe për të gjithë. Kryeministri i parë shqiptar do të udhëheqë një gjeneratë të re të politikës, duke përfaqësuar një shoqëri të barabartë dhe duke udhëhequr Maqedoninë e Veriut drejt një të ardhmeje të begatë si vend anëtar i NATOsë dhe i Bashkimit Europian” tha mes tjerash para popullit shqiptar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndryshe iden e Ahmetit për Kryeministër shqiptar e kanë mbështetur edhe opinionist maqedonas, gazetar shqiptar, historian dhe shumë figura tjera publike në vend dhe rajon si Kosovë dhe Shqipëri.