ALO! A ËSHTË KËTUPARI KRYETARI SHQIPTAR I QEVERISË SË MAQEDONISË VERIORE?

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

(“Misteri demografik i Maqedonisë Veriore: numra shumë të gabuar.

Statistikat zyrtare mbi popullsinë e Maqedonisë Veriore jo vetëm që janë devijuar pak, por në mënyrë dramatike janë të pasakta. Dhe, kjo ka pasoja.”

– Analizë e Qendrës për gazetari hulumtuese PRIZMA (BIRN-Maqedoni), autor: Tim Xhuda, 14 maj 2020.)

Nëse mbahen zgjedhje të drejta, të lira e demokratike, dhe mbrohet vota shqiptare, lodra të tjera do të binin në Maqedoninë Veriore.

Sipas të dhënave zyrtare nga organet kompetente të shtetit, thuhet se në Maqedoninë Veriore ka afërsisht 1.800.000 votues*.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2016 (si edhe në zgjedhjet e mëparshme) kanë votuar afërsisht 1.200.000 qytetarë me të drejtë vote.

Numri i banorëve dhe i votuesve shqiptarë në këtë shtet me asnjë parametër real nuk mund të jetë nën 35%, që i bie se, nga numri i përgjithshëm i qytetarëve shqiptarë që kanë votuar (votues aktivë) në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk ka mundur të jetë nën këtë përqindje, përkatësisht 460.000 votues shqiptarë, nga së paku 630.000 votues shqiptarë, sa ka në këtë shtet sipas analizave tona.

Përderisa nga 1200.000 votues zgjedhen 120 deputetë të Parlamentit të Maqedonisë Veriore, i bie që, duhen afërsisht 10.000 vota për një mandat të deputetit.

Nga numri përgjithshëm prej 1.200.000 votuesish, besojmë se 35% e tyre janë votues shqiptarë, përkatësisht 460.000 votues, prandaj, afërisht 46 deputetë në Parlamentin e Maqedonisë Veriore duhet të jenë deputetë shqiptarë.

Kush, si dhe pse i “avullon” votat e qytetarëve shqiptarë? Pse partitë politike të shqiptarëve dhe drejtuesit e tyre e heshtin dhe tolerojnë këtë shkelje të rëndë kushtetuese dhe ligjore për barazi të plotë të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore?!

Në një shtet demokratik dhe me liri të garantuara për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike, fetare, apo çfarëdo prejardhje, bindje dhe dallimi tjetër, nuk do të kishte nevojë për qasje të këtillë, por, këtë na e imponojnë standardet jodemokratike që praktikohen aktualisht në këtë shtet, sipas kushtetutës, ligjeve dhe Marrëveshjes kornizë të Ohrit, si pjesë tanimë e preambulës së kushtetutës aktuale, me të cilat shqiptarët diskriminohen në baza kombëtare, si pakicë kombëtare dhe qytetarë të 20%-shit.

*Shifrat janë të rrumbullakuara me qëllim të përcjelljes më të qartë të mesazhit përmes këtij shkrimi.

(21.VI.2020)