Apel nga Prof. Mehmeti: Ruajtja e shëndetit është pjesë e besimit

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

A P E L

Në përkeqësimin e situatës nga rritja e numrit të infektimeve nga koronavirusi në Maqedoninë Veriore

REFLEKTONI, O NJERËZ TË MIRË!

RESPEKTONI REKOMANDIMET,

RRINI NË SHTËPI,

QË TË MOS DERGJENI NËPËR SPITALE,

TË VUANI MË GJATË E PËSONI MË KEQ,

PËR PAK KUJDES E TEKE BANALE!

Edhe për përkeqësimin e situatës nga pandemia aktuale, shqiptarët në Maqedoninë Veriore akuzohen nga shumë individë, qarqe politike dhe medie, si fajtorë kujdestarë për të gjitha fatkeqësitë dhe dështimet në këtë shtet.

Askush nuk flet për faktorët që ndikojnë në përhapjen e viruseve dhe çdo epidemie; për gjendjen e rëndë ekonomike e sociale të qytetarëve, sidomos në vendbanimet shqiptare; askush nuk thotë se, virusi ka përhapje më të madhe në qytetet që paraprakisht kanë qenë me vite të tëra në ranglistat botërore për nivelin e lartë të ndotjes së ajrit; askush nuk thotë se virusi përhapet më lehtë në vendbanimet me dendësi më të madhe të popullsisë, siç janë, Çairi me dendësi prej mbi 13 mijë banorë në 1 km², Tetova dhe Pollogu me dendësi prej afër 1 mijë banorë në km², qyteti i Kumanovës apo i Shtipit.

Ku të gjejë virusi njerëz për t’i infektuar, në vendbanimet ku secila e dyta shtëpi është e braktisur apo me 1-2 banorë? Si mund të ketë infektim të njerëzve me virus në rajonin e Mariovës, ku në një hapësirë sa gjysma e Pollogut jetojnë vetëm disa banorë, që mund të numërohen në gishta?

Përveç kësaj, situatën nuk e ka rënduar mentaliteti i njerëzve, mungesa e traditës për rregull, kujdes e pastërti, por propaganda e medieve, e disa njerëzve të papërgjegjshëm, hapja e kazinove dhe bastoreve, si edhe përhapja e lajmeve të rrejshme nga qarqet politike e fetare, të kontrolluara nga segmente të pushtetit, jo nga shqiptarët e qytetarët hallexhinj.

Sidoqoftë, tani nuk është situata për komente e analiza, por për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe konkret, për kujdes individual e kolektiv deri në tejkalimin e kësaj situate.

Përderisa nuk lejohet hapja e shkollave dhe institucioneve arsimore, sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të ekspertëve vendës të shëndetësisë, pse duhet të hapen kazinot dhe objektet tjera ku tubohen numër më i madh i njerëzve; pse duhet të krijohen radhë për pritje para bankave dhe shërbimeve të tjera publike?

Asnjë pushtet nuk guxon t’i lejojë punët me kaq përgjegjësi për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve vetëm në ndërgjegjen e qytetarëve, përderisa në çdo shoqëri ka individë dhe grupe me prirje destruktive. Po të ishte vetëdija e lartë dhe ndërgjegjja e qytetarëve në atë nivel siç dëshirojmë, nuk do të kishte nevojë as për inspektorate, polici, gjykata e burgje.

(5.VI.2020)