Bexheti: Kërkesa e BDl-së për kryetar shqiptar të qeverisë, ide apo synim?!

Shpërndaje

Nga, Vebi Bexheti

Ashtu si kudo dhe kurdoherë, gjuha duhet respektuar, mbrojtur dhe përdorur në përputhje me kontekstet kuptimore. Fjala ,,ide”,që aq shumë po përdoret në këtë fushatë nga BDl-ja, por jo vetëm, në kontekstin e mendimit për të synuar diçka, siç është edhe qëllimi për ta kapur kreun e Qeverisë, më duket se përdoret gabimisht, mbase pa një analizë më të thellë të kuptimit që reflekton, mund të mendohet se përdoret me vend. Edhe pse qëllimi i paraqitjes sime, që duhet konsideruar si analizë e assesi si reagim, në kētë rast nuk ishte politika, elaborimi i ,,Idesë për Kryeministër shqiptar”, që po përdoret edhe si sllogan parazgjedhor, dhe sqarimi e zbërthim kuptimor, nuk mund të mbetet jashta kornizave politike.

Çdo garë politike e cilësdo parti për të dalë në zgjedhje parlamentare, e ka synim pushtetin, edhe ate, nga nivelet më të ulëta të tij, e deri në kreun e Qeverisë, madje edhe ate të Kryetarit të Shtetit, prandaj ky synim të konsiderohet si ,,ide”, në këtë rast, përdoret pa vend. Mendoni si do dukej sikur lideri i një partie politike t’i përgjigjet pyetjes së gazetarit se i ka lind një ide që të fitojë njëzet mandate deputetësh në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo retorikë është e njëjtë, bie fjala me një deklaratë të këtillë të Zaevit apo Mickovskit të cilët në zgjedhje do dilnin me ,,idenë”, që ta fitojnë postin e kryeministrit maqedonas.

Në sistemet me demokraci liberale dhe sistem parlamentar, dihet se si merret pushteti. Besoj se Ali Ahmeti, ashtu si të gjithë tjerët që merrem me politikë, e ka të qartë se nuk arrihet në majat e Qeverisë vetëm me slloganin ,,Koha për Kryeministër shqiptar” , madje kjo fjali as që mund të shërbejë për sllogan, sepse nga zgjedhësit, duket e pabesueshme të arrhet një gjë e këtillë, sidomos me një tetorikë pak sa egoiste të liderit të BDl-së, i cili për këtë ëndërr të kahmoçme të shqiptarëve, as që i konsultoi partitë tjera shqiptare, e as ato maqedonase, pa të cilat nuk ka Qeveri. Për ,,ide”të mëdha, edhe pse në këtë rast kjo fjalë nuk e ka vendin, hapi i parë që duhej bërë, do ishte një koalicion parazgjedhor me njërën nga partitë e bllokut maqedonas, ku do bisedohej paraprakisht për nevojën e një kryeministri shqiptar dhe një takim të domoddoshëm në një tryezë të gjitha partive shqiptare, që do i hapte rrugë së paku një analize të përbashkët për numrin e mjaftueshëm të mundshëm të deputetëve, nëse do e arrinin numrin 61.

Për të pasur sukses në këtë drejtim, gjithsesi duhej ndërruar Kushtetuta, që shqiptarët do i llogariste si shtetformues, ndërsa Maqedonia do njihej si shtet i përbërë nga dy popujt shumicë, maqedonas dhe shqiptarë, të cilët funksionet më të larta shtetërore do i kryenin me rrotacion. Zoti Ahmeti e pati rastin për t’u hyrë ndryshimeve kushtetuese, në kohën kur Kryeministrit Zaev më së shumti i duheshin votat e shqiptarëve, pa të cilat, as që do ëndërronte për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, që Maqedonisë, tani të Veriut, i hapi rrugë drejt anëtarësimit në NATO. Me gjithë insistimin e Aleancës për shqiptarët dhe partive tjera opozitare shqiptare, që të shfrytëzohet ky rast i volitshëm për ndryshime që do ishin në dobi të shqiptarëve, deputetët e BDl-së, jo që nuk i përkrahën këto propozime, por këmbëngulnin se me këtë rast, përveç ndryshimit të neneve që kishin të bëjmë me Marrëveshjen e e Prespës nuk mund të lejohen ndërhyrje tjera në Kushtetutë.

Kur i kemi parasysh të gjitha këto dhe shumë qëndrime tjera të zotit Ahmeti, i cili vazhdimisht pohonte se të drejtat e shqiptarëve janë përmbyllë me Marreveshjen e Ohrit, sidomos me Ligjin e fundit për përdorimin e gjuhëve, ku shqipja vazhdon të emërohet me njëzet përqindëshin, shtrohet pyetja prej kah tani gjithë këto kërkesa për të drejtat e shqiptarëve që kurrë më parë gjatë gjithë atyre mandateve, nuk u përmendën. Ky fenomen befasues për mentalitetin politik të BDl-së, është tregues se kjo forcë politike, duke qenë e vetëdishme për humbjen që do e pësojë në këto zgjedhje, shpëtimin e sheh te nominimi i Naser Ziberit për Kryetar Qeverie, të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Me gjithë respektin që kam për personalitetin e Naserit, si intelektual e analist politik, më habit fakti se si e pranoi një ofertë të këtillë thuajse fiktive, kur dihet se pozita kryeministër, arrihet pasi të fitohet një shumicë parlamentare, nga ndonjë marreveshjeve parazgjedhore ose paszgjedhore, si rezultat i vullnetit të mirë të shumicës maqedonase, që për momentin vështirë të besohet se mund të arrihet, pa një mehanizëm kushtetues, që do i obligonte ata ta votojnë një kryeministër shqiptar. Si duket, e tërë kjo zhurmë parazgjedhore e ka synim arkëtimin e ndonjë vote më tepër, pa e përjashtuar edhe afrimin e Naser Ziberit si kuadër të BDl-së, në kohën kur kjo parti ngadalë por e sigurtē do e fitojë vendin e liderit opozitar.