BFI: Haxhi 1441/2020 është anuluar për shkak të pandemisë

Shpërndaje

Bashkësia Fetarë Islame në Maqedoninë e Veriut sot njoftoi se për shkak të pandemisë nuk do të mund të organizohet një nga detyrimet fetare të myslimanëve, Haxhi 1441/2020, transmeton Portalb.mk.

“Në bazë të vendimit të marrë nga Ministria e Haxhit në Mbretërinë e Arabisë Saudite, me keqardhje ju njoftojmë se këtë vit kryerja e këtij farzi është anuluar si pasojë e masave të marra për shkak të Pandemisë Covid-19”, njoftojnë nga BFI.

Ata theksojnë se do të mbështesin këtë vendim të autoriteteve arabe.

“Nisur nga ky vendim i autoriteteve të Arabisë Saudite, të cilin, duke patur parasysh mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve tanë edhe BFI-ja e mbështet. Rijaseti i BFI-së, si organ legjitim për organizimin e kryerjes së Kushtit të pestë islam-Haxhit, nuk do të kryejë asnjë procedurë lidhur me Haxhin për vitin 1441/2020”, raportojnë nga BFI-ja.

Gjithashtu edhe Bashkësia Islame e Kosovës nuk do të organizojë procesin e Haxhit për arsye të njëjta.

“Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), njofton opinionin e gjerë në Kosovë se për shkak të përhapjes së pandemisë ‘Covid-19’ dhe rrezikut që ky virus bartë në vete, Ministria Saudite e Haxhit dhe Umres, ka marrë vendim për anulimin e Haxhit për vitin 2020”, njoftojnë nga BIK.

BIK njoftoi se procesi i Haxhit do ta kryejnë vetëm personat që ndodhën brenda territorit të Arabisë Saudite dhe jo të vendeve të tjera.

Ndryshe, Arabia Saudite do të lejojë vetëm “një numër shumë të kufizuar” të njerëzve, të cilët veçmë jetojnë në këtë Mbretëri, të mund ta bëjnë haxhillëkun tradicional, që fillon nga fundi i korrikut.

“Për shkak të situatës me pandeminë me Kovid-19 në nivel global, haxhillëku këtë vit do të mbahet me numër shumë të kufizuar të personave nga të gjitha kombësitë që jetojnë në Arabinë Saudite”, thuhet në kumtesën e Ministrisë për Haxhillëk dhe Umre.