Çfarë i tha Lajcak, Albin Kurtit: Pa VV-në s’ka marrëveshje të suksesshme

Shpërndaje

Lideri i VV’së, Albin Kurti edhe sa ishte kryeministër kishte një marrëdhënie mjaft të mirë me emisarin e BE’së, Mirsolav Lajcak, e ky siç duket po thekson sa pa të nuk mund të ketë marrëveshje finale, shkruan Gazeta Metro.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për media thotë se Lajcak ka deklaruar se nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme pa përfshirjen e kreut të LVV’së, Albin Kurtit në dialog.

“Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd-Prishtinë z. Lajçak gjatë takimit theksoi interesimin e Brukselit për dialog me parime e marrëveshje për normalizim midis dy vendeve. Por, z. Lajçak u shpreh se nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme pa përfshirjen e Kryetarit Albin Kurti dhe Lëvizjen VETËVENDOSJE!, kjo duke marrë parasysh përkrahjen gjithnjë në rritje dhe ndikimin e madh brenda vendit. Ai njoftoi që Brukseli po punon për rifillimin e dialogut i cili pritet të nis në muajin që vjen”, shkruhet në njoftim.

Sipas Vetëvendosjes, Kurti ka deklaruar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, dhe se zgjedhjet janë të domosdoshme.

“Dialogu duhet të zhvillohet në mënyrë transparente, larg nga marrëveshjet sekrete për shkëmbim territorial dhe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dialogu duhet të udhëhiqet nga përfaqësues legal dhe legjitim e jo nga këta që kanë kontrabanduar pushtetin duke rrëzuar qeverinë e mirë dhe demokratike të zgjedhur nga populli. Prandaj, zgjedhjet janë të domosdoshme dhe të pashmagmshme për një qeveri legjitime e kredibile të dialogoj dhe të arrij një marrëveshje të qëndrueshme e afatgjate”, citohet të ketë thënë Kurti.

Kujtojmë se Lajcak sot së pari u takua me kreun e VV’së, Albin Kurti, pastaj edhe me liderët e partive të tjera si LDK, AAK dhe Nisma.