Deri dje i quante horra, sot Ali Ahmeti kërkon mbështetjen e opozitës (Video)

Shpërndaje

Talat Xhaferi në emër të Bashkimit Demokratik për Integrim kërkoi sot mbështetjen e partive politike shqiptare për idenë e kryeministrit, me arsyetimin se idesë duhet t’i jepet një parashenjë mbipartiake. Ai tha se shqiptarët duhet të formojnë një platformë dhe përbërja e re e Kuvendit t’i japë mbështetje asaj shumice që do të zbatojë këtë ide, shkruan Alsat-M.

Kjo është një dorë e shtrirë, veçanërisht ndaj partive të shqiptarëve, që të qëndrojmë së bashku pas kësaj ideje. Këtu, sot, ne dërgojmë një ofertë publike se heqim dorë nga ekskluziviteti i kësaj ideje – deklaroi Talat Xhaferi.

Pavarësisht se Xhaferi sot kërkoi bashkimin rreth një platforme, ishte vet lideri i partisë Ali Ahmeti që muaj më parë refuzoi në mënyrë të prerë çdo takim me liderët e partive tjera, e madje duke i quajtur edhe horra.

“Me horra nuk ulem, me horra jo dhe mendoj se kam drejtë morale dhe kombëtare tu drejtohem shqiptarëve se nuk u duhen nga 10 parti politike”, – tha Ali Ahmeti, Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale, kur Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa dolën në mbështetje të kandidaturës së Blerim Rekës, Bashkimi Demokratik për Integrim u rreshtua me LSDM-në.

“Ne do të bëjmë të pabërën në këto hapësira nëse bëhem unë President. Do të bëjë petulla në ujë – u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Shikoni nga minuta 1:25:00: