Fushatë zgjedhore pa tubime! Partitë nuk përjashtojnë mundësinë për takime me qytetarët

Shpërndaje

Për më pak se një javë, përkatësish të mërkurën, 24 qershor fillon fushata zgjedhore, por tani për tani ende nuk dihet sipas cilëve protokolleve partitë do të zhvillojnë fushatën zgjedhore. Kryeministri Oliver Spasovski, tha se është biseduar me Komisionin për sëmundje infektive dhe do të udhëhiqen sipas masave të zakonshme, por saktë nuk precizoi si do të sillen partitë gjatë takimeve eventuale me qytetarët.

“Protokollet janë publikuar dhe ata nuk mund të kenë ndonjë dallim nga ajo që tani po bëjmë të gjithë. D.m.th. distancë, dezinfektim dhe mbajtje e pajisjeve mbrojtëse që është diçka me prioritet më të lartë për të gjithë ne. Kështu që këta janë protokollet që ne do t’i përmbahemi. Çështja do të jetë në përgjegjësi të plotë të subjekteve politike se si do të sillen në suaza të fushatës zgjedhore. A do të respektojnë këto rregulla apo jo!” Tha Oliver Spasovski, kryeministër i RMV.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkoski, tha se këto ditë po i pret protokollet nga Komisioni për sëmundje infektive për ditën e zgjedhjeve që do të jetë në udhëzimin e votimit, ndërsa do të sigurohet edhe hapësirë adekuate që do të jetë e sigurte për votim.

“Të gjitha vendvotimet do të jenë në hapësirë të mjaftueshme që të mundet të votohet në mënyrë të sigurt, do të ketë dritare që mund të jenë të hapura gjatë tërë ditës për ajrosje të hapësirës dhe të sigurohet distancë mes pjesëmarrësve të bordit zgjedhor dhe vëzhguesve të procesit dhe të sigurohet rend,” tha Oliver Derkoski, kryetar i KSHZ-së.

Por, si do ta udhëheqin fushatën zgjedhore partitë politike për shkak të pandemisë, me qëllim që të mos cenojnë shëndetin e qytetarëve! A do të kenë ide të tyre kreative dhe mënyra përmes së cilave do të dërgojnë porositë e tyre deri te votuesit? Thonë që nuk do të ketë tubime, por megjithatë një pjesë e tyre nuk e shkyçin mundësinë edhe për takime me qytetarët.

“Duhet të jemi të kujdesshëm, jemi të parët që paralajmëruam se LSDM dhe koalicioni “Mundemi” nuk do të organizojnë tubime e as ngjarje të mëdha. Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë e reja, veglat e reja që i kemi në dispozicion,” tha Lupço Nikollovski, LSDM.

“Do të përpiqemi që të jemi afër qytetarëve, patjetër se nuk do t’i harrojmë rreziqet që i sjell pandemia me Kovid-19. Për fat të keq, fushatën duhet ta organizojmë në këto kushte për t’i mbrojtur tërësisht qytetarët,” tha Shermin Mamut, BDI.

“Normal se një pjesë e fushatës do të jetë në mënyrë elektronike, përmes mediave sociale, këtu janë televizionet dhe të gjitha mediat e shkruara, por është fakt se do të ketë edhe aktivitete në terren. Në çfarë formë do të jenë – normal se tubimet e mëdha, duke i pasur parasysh të gjitha masat që duhet të respektohen, nuk do të ndodhen, së paku jo në madhësi të tillë,” tha Igor Janushev, VMRO-DPMNE.

Ky cikël zgjedhor për shkak të virusit korona, patjetër se do të dallohet nga ciklet e deritanishme, megjithatë partitë duhet të gjejnë mënyrë më të sigurt për t’u prezantuar votuesve. Fushata zyrtare zgjat 20 ditë para zgjedhjeve, por jo zyrtarisht, tashmë ka filluar nëpër rrjetet sociale./TV21