Grenell i reagon euro-deputetes: Në vend se të ankohesh, kryej punët tua – vizat për Kosovën

Shpërndaje

Emisari amerikan, Richard Grenell, i ka reaguar euro-deputetes dhe raportueses për Kosovën, Viola Von Cramon, e cila me cinizëm deklaratat e mëhershme të amerikanit për Kosovën i quajti “tregime”.

Grenell, ia ka kthyer Von Cramon-it në Twitter se “në vend se të kritikosh çdo gjë që bën Administrata e Trump-it që të ndihmojë normalizimin e ekonomive të Kosovës dhe Serbisë, përse nuk koncentrohesh në të vetmen gjë që do të duhej të ishe duke e bërë; vizat për Kosovën”.

Amerikani i ka kërkuar evropianes që të pushojë së ankuari e t’iu “grah punëve”

“Ke mbetur duke u ankuar për të tjerët për 20 vjet. Kryej punët tua”, shkruan Grenell.

“Lufta” me twitta në mes të politikanes gjermane e atij amerikan, filloi kur Von Cramon e përqeshi deklaratën e Grenell-it se nuk ishte plan i Donald Trump-it shkëmbimi i territoreve, por i ish-këshilltarit të tij, John Bolton.

“Natyrisht se tash është krejt faj i John Bolton që njerëzit po flasin për shkëmbim territoresh. Tani, i shkreti, Richard Grenell, duhet t’i luftojë këto thashetheme. Po lëreni”, ka shkruar në Twitter Von Cramon.

Gjithashtu Von Cramon ia ka përqeshur angazhimin e fundit diplomatik Grenellit.

“A kishte rezultate nga ‘marrëveshjet‘ e tij të fundit – marrëveshjet për lufthansa, hekurudhat, aviacioni? S’gjeta gjë”.

Politikanët ndërkombëtarë zyrtarisht gjithmonë e thonë se nuk ka dualitet në qasjen e tyre për Kosovën, por replika të tilla tregojnë se ka dallime në atë se si e shohin ecjen përpara miqtë këtej dhe andej oqeanit atlantik.

Temat për Kosovën dhe Kosova janë shndërruar këto ditët e fundit në “qendrën e Twitter-it”, siç dikur, për arsye të tjera, ishte në qendër të mediave ndërkombëtare.