Haxhiu: Qeveria Hoti paska hequr dorë nga hetimi i krimeve serbe në Kosovë

Shpërndaje

Ish Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës është gjunjëzuar para Serbisë.

“Qeveria jolegjitime, në ditët e para të saj, ka treguar gjunjëzimin para Serbisë, duke filluar nga heqja e reciprocitetit e deri tek heqja dorë për njohje nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe mosanëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare por tani paska hequr dorë edhe nga mbështetja për institucionet e drejtësisë që hetojnë dhe gjykojnë krimet e luftës. Tërheqja e Qeverisë nga ky ndryshim tregon gjunjëzimin e saj para Serbisë dhe është tendencë për amnistim të krimeve të luftës”, është shprehur ajo, transmeton ALBAZONE MEDIA.

Postimi i plotë:

Pak ditë pasi kisha pranuar detyrën e Ministres së Drejtësisë, kam pritur në takim prokurorët special që merren me hetimin e krimeve të luftës.

Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi me kërkesat e prokurorisë speciale në raport me krimet e luftës dhe kam dhënë zotimin tim që do të adresoj secilën kërkesë vetëm e vetëm që krimet e luftës të trajtohen seriozisht dhe prokuroria të ketë mbështetjen e duhur për këto raste.

Kërkesë urgjente e kisha konsideruar ndryshimin e një neni tek Kodi i procedurës penale që i shërbente prokurorisë për adresimin sidomos të rasteve të krimeve të luftës që ishin transferuar nga EULEX.

Menjëherë në mars, të njëjtin ndryshim e kam proceduar në Kuvend por për shkak të kundërshtimit të nismave të qeverisë tonë nga PDK, LDK dhe të tjera, i njëjti projektligj pavarësisht rëndësisë, nuk kishte arritur të procedohej në seancë për votim.

Qeveria jolegjitime, në ditët e para të saj, ka treguar gjunjëzimin para Serbisë, duke filluar nga heqja e reciprocitetit e deri tek heqja dorë për njohje nga shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën dhe mosanëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare por tani paska hequr dorë edhe nga mbështetja për institucionet e drejtësisë që hetojnë dhe gjykojnë krimet e luftës. Tërheqja e Qeverisë nga ky ndryshim tregon gjunjëzimin e saj para Serbisë dhe është tendencë për amnistim të krimeve të luftës.

Kjo është e papranueshme.

Qeveria e paligjshme duhet të largohet sa më parë dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.