KSHZ-ja nuk ka nisur ende procedurat për zgjedhjet

Shpërndaje

Zhvillimet e fundit mbi ndryshimin e datës së zgjedhjeve nga 5 më 15 korrik kanë bërë që partitë politike të mos shpejtojnë me nisjen e fushatës zgjedhore ashtu siç parashikon dekreti i fundit i Qeverisë. Ndonëse zyrtarisht ka nisur rrjedhja e afateve 22 ditore nga publikimi i dekretit në Gazetën Zyrtare më 12 qershor, KSHZ-ja nuk ka nisur procedurat. Nga ky institucion thonë se pas caktimit të datës nga kryetari i Kuvendit, nisin edhe procedurat për organizimin e zgjedhjeve. Kryetari i ligjvënësit thotë se dekreti ndryshon në përputhje me Kushtetutën, në momentin që partitë arrijnë konsensus për datë të zgjedhjeve.

Por çfarë në rast se procedurat bllokohen në KSHZ si pasojë e mungesës së konsensusit? Ekspertët thonë se Rregullorja për punën e KSHZ-së dhe Kodi Zgjedhor nuk i lejojnë anëtarëve të udhëheqin me mbledhjen. Rregullorja përcakton në mënyrë taksative se me mbledhjen udhëheq kryetari, ndërsa në mungesë të tij udhëheq nënkryetari.

Në rast se kryetari i KSHZ-së jep dorëheqje, nuk ka Kuvend që konstaton shkarkimin e tij. Kjo nënkupton se ai detyrohet të ushtrojë funksionin derisa organi që e ka emëruar nuk e miraton të kundërtën. Situatë edhe më kritike krijohet në rast se kreu i institucionit për organizimin e zgjedhjeve është prezentë në punë por bojkoton punimet ose nuk thërret mbledhje. Në këta rast nuk mund të vepron as nënkryetari. Kjo pasi nuk ekziston arsye e bazuar në dispozita juridike mbi të cilat do të arsyetohej thirrja dhe udhëheqja e mbledhjes.

Në rast se zgjedhjet mbahen më 15 korrik, rrjedhja e afateve fillon nga 23 qershori. Kjo nënkupton se të mërkurën Qeveria duhet t’i propozojë presidentit vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme edhe për 1 javë. Më 24 qershor duhet të fillojë fushata zgjedhore dhe të zgjasë deri më 13 korrik. Më 14 korrik vendi është në heshtje zgjedhore ndërsa më 15 zhvillohet procesi zgjedhor. Aktualisht organizimi i zgjedhjeve ka ngecur në fazën e nënshkrimit të datës së zgjedhjeve dhe Kodeksit për fushatën zgjedhore.