Kurti: Fëmijët duhet të shihen si qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët

Shpërndaje

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur sot fjalim në Konferencën e Tretë Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe Të Drejtat e Fëmijëve, që siç theksoi ai, po organizohet jo vetëm në ditën e fëmijëve të 1 Qershorit, por edhe në ditën që Qeveria hapi çerdhet për të gjithë fëmijët pas gati tre muaj ndërprerjeje.

Kurti shtoi se gati të gjitha prioritetet më të rëndësishme të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, ndërlidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve.

Në fjalën e tij, ai tha se fëmijët duhet të shihen si qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët. Prandaj është thelbësore se si ne i edukojmë fëmijët, si në familje ashtu edhe në shkolla dhe komunitet.

Kurti ngriti shqetësimin se në Kosovë mbështetja nga babai për të mësuar është shumë më e ulët sesa nga nëna, ku 6% të baballarëve u ndihmojnë fëmijëve me mësime, krahasuar me 42.8% të nënave.

“Kjo duhet të ndryshohet, dhe këtë duhet të gjithë të angazhohemi për ta ndryshuar. Babai duhet të jetë barabartë i pranishëm në jetën e fëmijës por edhe në punët e familjes. Angazhimi i barabartë i prindërve në shtëpi është shembulli më i mirë që mund të bartet te fëmija në mënyrë që barazia, pra edhe barazia gjinore, të vijë natyrshëm”.

“Edukimi në familje ndërlidhet edhe me të drejtat e grave pasi që familja është aty ku mësohen rolet gjinore. Të drejtat e grave fillojnë me të drejtat e vajzave. Shembulli se si djemtë duhet të sillen ndaj vajzave, se si burrat duhet të sillen ndaj grave, tregohet dhe modelohet fillimisht në mënyrën se si babai sillet ndaj nënës”, ka thënë Kurti.

Lajmi i plotë: https://kryeministri-ks.net/kryeministri-ne-detyre-kurti-femijet-duhet-te-shihen-si-qytetaret-e-ardhshem-te-demokracise-sone-te-perbashket/