Ky është shkaku kryesor dhe i vetëm që nuk po liberalizohen vizat

Shpërndaje

Shkalla e korrupsionit të nivelit të lartë mban peng liberalizimin e vizave, tregon një dokument zyrtar. Luftimi i kësaj dukurie është identifikuar nga vetë Qeveria e Avdullah Hotit si kusht i fundit, pas plotësimit të të cilit do të mund të merrej vendimi nga Bashkimi Evropian për t’ua hequr izolimin kosovarëve.

E dhëna ndodhet në Planin e Punës së Qeverisë referuar vitit 2020, i cili është miratuar të hënën,

Në pikën “A4.5” të këtij dokumenti është listuar si prioritet “adresimi i obligimeve në procesin e liberalizimit të vizave dhe përmbushja e obligimeve të dala nga procesi i MSA-së”. Aty është theksuar se do të bëhet monitorimi i zbatimit të rekomandimit të mbetur për liberalizimin e vizave, i cili kërkon “luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë”.

Mes aktivitetesh për ta përmbushur këtë detyrë është përshkruar hartimi i raporteve mbi zbatimin e rekomandimit për përcjelljen e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. E rezultatin e punës Qeveria synon ta dëshmojë me dy tregues: numrin e rasteve të reja të shënjestruara, si dhe me numrin e rasteve të mbyllura me aktgjykime të formës së prerë.

Në pikën 7.2 të këtij dokumenti, mes të tjerash, thuhej se, në veçanti, do të punohet për “rritjen e efektivitetit të gjyqësorit, si parakusht themelor për integrimin evropian dhe veçanërisht për liberalizimin e vizave, duke rritur kapacitetet e gjyqësorit për trajtimin e lëndëve dhe duke respektuar pavarësinë e tij”.