LDK dhe PDK pritet t’i japin mundësinë e një mandati të dytë në krye të shtetit, Hashim Thaçit

Shpërndaje

Reformë e cila është edhe në programin qeverisës së kryeministrit, Avdullah Hoti. Partneri kryesor qeverisës i këtij të fundit, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë për KosovaPress, se janë për idenë që presidenti të votohet direkt nga qytetarët.

“Ne e kemi propozuar, ka vite dhe kemi marrë pjesë në ato diskutimet e atëhershme përmes partive për ndryshime të Ligjit Zgjedhor. Janë disa ndryshime të nevojshme, duhet edhe një herë të kthejmë diskutimin për mënyrën e të zgjedhjes të zgjedhurëve. Veçanërisht për presidentin, e që ne kemi propozuar qysh atëherë të zgjidhet direkt nga qytetarët…të gjithë garojnë atëherë, nuk është kjo garë e kufizuar, garon presidenti Thaçi, por garojnë edhe të gjithë tjerët”, thotë ai.

Ndonëse e mohojnë ndërlidhjen me presidentin Thaçi, në LDK thonë se nuk kanë ende një qëndrim se cila rrugë të ndiqet për çështjen e të parit të shtetit.

Kryetari i komisionit për legjislacion nga kjo parti, Shkëmb Manaj thotë për KosovaPress se opsionale janë dy versione, por më e mira sipas tij është reforma në largimin e dy raundeve të para ku duhet të jenë mbi 81 deputetë të pranishëm.

Ai thotë se presidenti mund të zgjedhet në raundin e parë dhe me prezencën dhe shumicën minimale prej 61 deputetëve.

“LDK-ja normalisht do të trajtojë çështjen e reformës zgjedhore edhe sa i përket zgjedhjes së presidentit, por edhe zgjedhjeve të përgjithshme. Por në këto rrethana ende nuk kemi një vendim brenda LDK-së, në mënyrë të përcaktojmë se cila do të jetë metodologjia se cila do të jetë kjo reformë kushtetuese dhe zgjedhore…ne do të shohim të gjitha mundësitë sepse nëse shkojmë me zgjedhjen e drejtpërdrejt nga populli atëherë mund të ndryshojë sistemi. Të krijohet një sistem gjysmë presidencial. Duhet të shikohet pastaj a duhet të ndryshohen kompetencat e presidentit të Republikës”, thotë ai.

Një iniciativë të tillë e kishte ndërmarrë më herët edhe PDK-ja, mirëpo nuk kishte gjetur përkrahje tek partitë politike. Derisa KosovaPress mëson se kjo parti opozitare do t’i jep mbështetje kësaj iniciative.

E kategorik kundër kësaj mundësie është lideri Lëvizjes Vetëvendosje. Ish kryeministri Albin Kurti, i cili thotë për KosovaPress, se në këtë kohë kjo nuk është nevojë e qytetarëve, por vetëm e një presidenti që po i skadon mandati.

“Unë nuk besoj që ngecjet që i ka Kosova në shtet-ndërtimin demokratik dhe zhvillimin ekonomik vijnë nga mungesa e zgjedhjes së drejtpërdrejt të presidentit. Besoj që kemi prioritete shumë të mëdha…Nuk është çështja a e përkrah nismën, po them që nuk është nismë legjislative ose për ndryshim kushtetues. Ka të bëj me karakterin e Republikës. Ne në Lëvizjen Vetëvendosje nuk e kemi bërë një debat të tillë, konsiderojmë që nuk mund të jetë prioritet. Nuk është nevoja e qytetarit të Republikës, por e një presidenti që po i skadon mandati”, thotë ai.

Se një opsion i tillë mund të ndodhë e thotë për KosovaPress, edhe njohësi politik nga organizata joqeveritare “Demokracia Plus”, Albert Krasniqi.

“Është një opsion real që mund të ndodh. Partitë politike të cilat e bëjnë pushtetit të dakordohen së bashku me PDK-në, i kanë numrat e nevojshme. Kështu të ndryshojnë mënyrën e zgjedhjes së presidentit”, thotë ai.

Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit i kanë mbetur rreth shtatë muaj mandat, derisa vazhdimisht ka theksuar se nuk do të jetë kandidat sërish, nëse nuk ndryshohet mënyra e zgjedhjes të parit të vendit. Ai ka vite që po insiston të bëhen reformat Kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjedhet nga qytetarët. Një iniciativë e tillë është prej vitit 2011, ku grupet punuese të atëhershme kanë hartuar një draft-ligj, por që nuk ka gjetur përkrahje nga partitë parlamentare./KP