LËVIZJA POLITIKE E SHQIPTARËVE RIKTHEHET NË PIKËN ZERO

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Lëvizja politike e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore u rikthye në pikën ZERO të saj, në fillimin e proceseve demokratike të viteve të nëntëdhjeta, aty ku ndodhi krimi, me shpalljen e shtetit të pavarur të Maqedonisë me koncept etnik sllav, duke i përjashtuar shqiptarët nga Kushtetuta e vendit, e vitit 1991, si popull konstituiv, siç kishin qenë nga viti 1974, për t’i shndërruar në pakicë kombëtare, ndërsa me ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit, edhe më poshtë se kaq, në qytetarë prej 20%.

Meqë çdo hap nuk është ecje përpara, lëvizja politike e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore do të ndryshojë pashmangshëm pas zgjedhjeve parlamentare të 25 korrikut, kësaj radhe duke u rikthyer tri dekada prapa, në fillimet e saj, për ta ndryshuar dhe ribërë atë që nuk arriti klasa politike e derisotme, e dështuar, e korruptuar dhe kapur nga pushteti vendës dhe agjenturat e huaja, jo e mbështetur në aspiratat historike dhe vullnetin politik të popullit shqiptar, të cilit i mbetet barë edhe më tej ta vazhdojë betejën për barazi të plotë në këtë shtet, si popull konstituiv, jo si pakicë kombëtare, por jo me këtë klasë politike të korruptuar dhe kontrolluar nga të huajit.