Mehmeti: Zgjedhjet parlamentare dhe opozita shqiptare e munguar

Shpërndaje

Për mungesën e frymës politike opozitare të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut në Maqedoninë Veriore

ZGJEDHJET PARLAMENTARE DHE OPOZITA SHQIPTARE E MUNGUAR

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Kush duhet t’i mbrojë shqiptarët nga padrejtësitë e pushtetit, kur të gjitha partitë janë me pushtetin?!

Asnjë pushtet nuk mund të jetë aq demokratik sa të mos ketë nevojë për frymë opozitare ndaj tij!

Të gjitha partitë politike të shqiptarëve aktualisht janë me pushtetin, edhe kur pushteti nuk është demokratik, e asnjëra në opozitë dhe për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve.

BDI, pjesë e Qeverisë së deritashme, deri më 2016 me OBRM-PDUKM, nga viti 2017 – 2020 me LSDM dhe partnerë të tjerë.

PDSH, pjesë e Qeverisë së LSDM-së, me Ministri të Ekonomisë, me arsyetim për integrimin e vendit në NATO.

ALTERNATIVA, pjesë e Qeverisë së LSDM-së, me Ministri të Kulturës, me arsyetimet e veta.

ASH, fillimisht pjesë e qeverisë së LSDM-së, me Ministrinë e Shëndetësisë, nga zgjedhjet lokale e larguar, aktualisht në koalicion parazgjedhor me Alternativën, pjesë e qeverisë së derisotme.

BESA, në koalicion parazgjedhor me LSDM, udhëheqëse e Qeverisë së derisotme.

Cila është parti opozitare e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, që mund të kërkojë reforma dhe ndryshime në mënyrën e qeverisjes së shtetit dhe për ndryshimin e qëndrimit të pushtetit ndaj interesave të popullit shqiptar në këtë shtet?

Ndërkohë, të gjitha partitë politike të shqiptarëve luajnë rolin e opozitës (kritikuese) ndaj njëra-tjetrës, në kohën kur më tepër se asnjëherë më parë faktori politik shqiptar ka nevojë për unifikim dhe bashkërendimin e aktiviteteve për zgjidhjen e probleme të trashëguara nga e kaluara, ndryshimin e statusit juridik-kushtetues dhe gjendjen e rëndë aktuale të popullit shqiptar në Maqedoninë Veriore, duke qenë të obliguara edhe nga marrëveshja mes tyre, përmes Platformës së partive politike parlamentare të shqiptarëve, të nënshkruar nga vetë drejtuesit e këtyre partive, më 7 janar 2017.

Shpresojmë se kjo qasje e partive politike të shqiptarëve do të ndryshojë menjëherë pas zgjedhjeve të 15 korrikut dhe formimit të Qeverisës së ardhshme të Maqedonisë Veriore, përndryshe, do të jetë e domosdoshme që n; skenën politike të plotësohet kjo zbrazëtirë me mungesën e frymës politike opozitare të shqiptarëve, pa të cilën e humb kuptimin demokracia dhe pluralizmin, por edhe zvogëlohen mundësitë për funksionimin normal të shoqërisë dhe të shtetit të së drejtës.