Ndërroi jetë doktori i mirënjohur nga Ulqini, ja si e përkujton Albin Kurti

Shpërndaje

Simë Gjon Dobreci ka lindur më 27 mars 1934 në Braticë të Ulqinit. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Braticë e Ulqin, gjimnazin klasik në Tivar e fakultetin e mjekësisë në Beograd. Fillimisht, nga 1964 deri më 1967 punoi në Tivar e Ulqin e pastaj shkoi në Spitalin e Prishtinës, ku e filloi specializimin e dermatologjisë të cilin e mbaroi në Zagreb në vitin 1970.

Ai u zgjodh asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Prishtinës në vitin 1973, kurse një vit më vonë, ai qëndroi për një vit në Klinikën dermatologjike të Vankuverit, Kanada. Në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore. Një kohë ishte edhe drejtor i Klinikës. U zgjodh docent i dermatologjisë, pastaj fillimisht, më 1989, profesor inordinar e edhe profesor ordinar më 1994.

Për studentët e mjekësisë botoi tekstin “Dermatologjia” më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, botimi i tretë i ripunuar më 1998, kurse ribotimi i katërt i plotësuar më 2009. Ndërsa, për studentët e stomatologjisë botoi tekstin “Sëmundjet e Lëkurës” më 1989.

Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi prej klinikave kuadrin arsimor shqiptar. Fakulteti i Mjekësisë e vazhdoi punën nëpër shtëpia private.

Sa i takon veprimtarisë shkencore, Dr. Dobreci kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Temën e doktoraturës “Dermatomikozat endemike në Kosovë” e mbrojti më 1980 dhe u zgjodh doktor shkencash në mjekësi. Botoi 25 punime shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta dermatologica jugoslavica dhe në Praxis Medica). Me paraqitje të punimeve shkencore mori pjesë në Kongresin e Dermatologëve Botëror në Berlin më 1987, në Kongresin e Dermatologëve Europianë në Bari të Italisë më 1987 dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve në Atinë më 1994. Prej 1994-1999 ishte kryeredaktor i Praxis Medica, revistës profesionale-shkencore të Shoqatës së Mjekëve të Kosovës. I pensionuar, jetoi në Braticë të Ulqinit, ku redaktoi revistën kulturore “Buzuku”, si dhe nga pak edhe merrej me profesionin e vet.

Kontributi i Dr. Simë Dobrecit do të na mungojë. Por, me librat, tekstet, revistat dhe pacientët e shëruar që la pas ai do të jetë profesori e mjeku i paharrueshëm.

(Të dhënat janë nga biografia e Prof. Dr. sci. Mentor Disha për Dr. Simë Dobreci, Prishtinë, më 15.4.2012).