Ndërron jetë profesori shqiptar që u mësonte gjuhën shqipe studentëve kinezë

Shpërndaje

Ditën e djeshme është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur Profesor Dr. Ruzhdi Stringa.

Lajmin e ndarjes nga jeta të profesorit, e ka bërë me dije ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja.

“Kush e njohu profesor Rudin, kush shkëmbeu qoftë edhe pak fjalë me të, kupton se pse sot dhimbjes së pangushëllueshme të fëmijve, familjes e të afërmve, kaq natyrshëm i bashkohet edhe hidhërimi i thellë i kolegëve e studentëve të tij kinezë në disa breza, i miqve e shokëve të tij të shumtë ne atdhe e ne Kinën e largët -ku ai per dy dekada, me dije e me shpirt kontribuoi që gjuha e kultura shqipe te vijnë aq bukur. Ngushëllime të ndjera familjes nga gjithë personeli i ambasadës në Pekin. Të qoftë e lehtë udha profesori dhe njeriu i mirë Ruzhdi Stringa”, shkruan ambasadori.

Sipas Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës, Profesor Rudi, pedagog ne Universitetin e Studimeve te Huaja të Pekinit, u mësoi gjuhën Shqipe brezave të tërë në Kinë.

“Sot është një ditë e trishtë për ne. Prof.Dr. Ruzhdi Stringa u nda nga jeta, duke lënë një boshllëk të madh në familje, shoqëri dhe auditorë. Një humbje e papritur, e dhimbshme dhe shumë e rëndë. Profesor Rudi, pedagog ne Universitetin e Studimeve te Huaja të Pekinit, u mësoi gjuhën Shqipe brezave të tërë në Kinë. Sot studentët e tij janë ambasadorët më të mirë të gjuhës shqipe. Lamtumirë i dashur profesor! Faleminderit për gjithë trashëgiminë që i le studentëve të tu, të cilët nuk do ju harrojnë kurrë”, shkruan Instituti Konfuci në Universitetin e Tiranës në një reagim në rrjetet sociale./noa.al/