Nënkryetari i ASH-së, Vullnet Ferati Të dorehiqet Bujar Osmani dhe Venko Filipçe. Dështuan me menaxhimin e krizës! (Video)

Shpërndaje

Rritja e vazhdueshme e numrit të të infektuarve dëshmon për keqmenaxhimin e vazhdueshëm të Qeverisë me situatën e krijuar nga pandemia Covid-19.

E ky keq menaxhim dëshmohet nga pozicionimi i Maqedonisë së Veriut në vendin e 130-të për nga mënyra e menaxhimit të krizës me koronavirusin. Kështu ka thënë Vullnet Ferati, nënkryetar u Aleancës për Shqiptarët, ndërsa ka shtuar se në kohën kur të gjitha shtetet përreth lajmërojnë për uljen e numrit të të infektuarve, tek ne ky numër po rritet.

“Me këto të dhëna, Maqedonia e Veriut vendoset në ‘listën e zezë’- që do të thotë restrikcione, respektivisht ndalesë për udhëtim të banorëve tanë jashtë shtetit. E njëkohësisht edhe ardhje të qytetareve nga shtetet tjera këtu. Kjo sjell vështirësi për çdo qytetarë të vendit tonë dhe thellon edhe më tepër situatën ekonomike, e cila edhe ashtu është mjaft e vështirë”, u shpreh Ferati, ndërsa përgjegjës ka bërë ministrin e Shëndetësisë dhe zëvendëskryeministrin për çështje evropiane.

“Këto janë fakte të mjaftueshme, të cilat ngarkojnë me përgjegjësi ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, koordinatorin e shtabeve të krizës së komunave Bujar Osmani, anëtarët e shtabit të krizës dhe të gjithë të angazhuarit për menaxhim të krizës, të cilët së paku nga aspekti moral duhet të dorëzojnë dorëheqje të parevokueshme nga postet e tyre! Qytetarët nuk e kanë për borxh që paaftësinë e këtyre personave ta paguajnë me shëndetin e tyre. Fatkeqësisht qeveria ende nuk po tregon pjekuri për seriozitetin e situatës prandaj edhe duhet të ndërmerren urgjentisht masa”, tha Ferati.