Nga puset e cekët të politikës sonë aktuale mund të del vetëm ujë i turbullt

Shpërndaje

Dy fjalë për historinë tonë të fshehur

Shkruan: Abdulla Mehmeti

NGA PUSET E CEKËT TË POLITIKËS SONË AKTUALE MUND TË DEL VETËM UJË I TURBULLT

Çfarë duhet të dinë shqiptarët, sidomos elitat politike dhe intelektuale në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup?

Përderisa popujt dhe shtetet fqinje kanë falsifikuar dhe sajuar histori të rrejshme për qytetet dhe kryeqytetet e tyre të sotëm, ne shqiptarët i kemi lënë në harresë historitë e lavdishme të kryeqyteteve tona të dikurshme.

Sipas burimeve historike, në përpjekjet e vazhdueshme të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare, tri kërkesat dhe përpjekjet e para serioze për shpalljen e Autonomisë së Shqipërisë dhe më vonë të Pavarësisë së plotë të Shtetit Shqiptar janë shpallur për kryeqytete, dy herë Shkupi dhe njëherë Ohri, përderisa kryeqytetet e sotme të shteteve shqiptare, Tirana dhe Prishtina atëkohë nuk e kanë pasur rëndësinë politike, ekonomike dhe strategjike siç e kanë krijuar më vonë.

Hera e parë, kur është shpallur Autonomia e Shqipërisë me kryeqytet Shkupin, ka qenë kërkesë e krerëve të Kryengritjes së Dervish Carës, më 1843/44, pas çlirimit të të gjitha trojeve etnike shqiptare, nga Nishi deri në Janinë, nga Durrësi deri në kufirin e sotëm lindor të Maqedonisë Veriore me Bullgarinë, për çka deri vonë historiografia shqiptare nuk e ka shkruar një radhë të vetme, ose ka shkarravitur diçka vetëm mbrapshtë.

Hera e dytë, kur njëri nga vendimet më serioze të krerëve të Lidhjes së Prizrenit, më 1878, ka qenë vendosja e kryeqytetit të Shtetit Autonom Shqiptar në qytetin e Ohrisë, kryeqendra e dikurshme e Mbretërisë së parë të Dardanisë, afër katër shekuj para erës sonë; dhe

Hera e tretë, pas çlirimit të qytetit të Shkupit nga kryengritësit shqiptarë, më 12 gusht të vitit 1912, kur është ngritur për herë të parë flamuri i Pavarësisë së Shqipërisë, e që nga shtypja e madhe e fuqive të mëdha, në rrethana krejtësisht të tjera dhe në një qytetit tjetër, siç e njeh historia, Pavarësia e Shqipërisë është shpallur përfundimisht në Vlorë, me formimin e Qeverisë së parë shqiptare nga Ismail Qemali, më 28 Nëntor 1912.

Sidoqoftë, faktet historike nuk duhet të harrohen, të fshihen dhe keqpërdoren sipas interesave politike të pushteteve në fuqi, për interesa të shteteve fqinje dhe të faktorëve të jashtëm, të cilët kanë falsifikuar gjithçka në dëm të shqiptarëve, duke e shkelur të vërtetën shkencore dhe dëmtuar rëndë historinë reale të popullit shqiptar.

Dhe, për fund, askush nuk duhet të harrojë se çështja e shqiptarëve në Maqedoni edhe aktualisht përbën çelësin e çështjes shqiptare në rajon, prandaj, për elitat politike dhe intelektuale të korruptuara, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, shqiptarët dhe Maqedonia aktualisht përbëjnë vetëm një portë të hapur për biznese private me Serbinë, Turqinë, Bullgarinë, Greqinë dhe botën e jashtme, jo edhe pjesë e pandarë të kombit shqiptar, qoftë në procesin e integrimeve të përbrendshme kombëtare, apo të integrimeve të jashtme, rajonale, evropiane dhe euroatlantike, për t’i faktorizuar shqiptarët në këtë shtet sipas vazhdimësisë historike dhe gjeografike, autoktonisë dhe kontributit historik të shqiptarëve në Maqedoni, si edhe vlerave të tjera kombëtare e qytetëruese bashkëkohore.

Është koha të ndalet kjo fushatë mashtrimi e dhunimi i së vërtetës historike, sidomos afirmimi pa të drejtë i disa figurave “të mëdha” e “të ndritura” të kombit shqiptar, nga e kaluara deri në ditët tona, që janë shitur për pak napolona e florinj të huaj dhe kanë lidhur marrëveshje të fshehta edhe me djallin për shitjen e trojeve tona etnike sa për të ardhur në pushtet! Përfundimisht duhet ta shikojmë të vërtetën në sy, që të mos na përsëritet historia!