Nga shkojnë shqiptarët e Maqedonisë Veriore?

Shpërndaje

NGA SHKOJNË SHQIPTARËT E JESHIL KOJIT TË MAQEDONISË VERIORE?

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Edhe pas një shekulli e gjysmë vazhdojnë t’ia bëjnë argatin Traktatit të Shën Stefanit (1878), apo siç njihet ndryshe, marrëveshjes nga Katundi i gjelbër (Yeşil köy) afër Stambollit. Çfarë simbolike bart edhe sot ky emër katundi ku u arrit dhe nënshkrua kjo marrëveshje për copëtimin e trojeve etnike shqiptare, sikur të jetë shndërruar në magji të përhershme për mendjet jeshile të udhëheqësve shqiptarë të djeshëm e të sotëm, argatëve në shërbim të interesave të huaja për viktimizimin e trojeve të veta sikur të bëhej fjalë për një livadh jeshil e pa të zot, ku mund të kullosë kush të dojë, kur të dojë, sa të dojë e si të dojë.

Shihni në lidhje me këtë ngjarjet më të rëndësishme për krijimin e shteteve fqinje mbi trojet etnike shqiptare, nga kjo marrëveshje e më pastaj, deri në ditët e sotme, të cilave u vjen era jeshil koj, ndërsa shqiptarët e ngratë ëndrrat vazhdojnë të shohin kuqezi, kurse fatin dhe jetën e kanë lidhur keq për idetë livadhe dhe mendjet jeshile, që pushtuesit dhe sunduesit e huaj vazhdojnë t’i kuptojnë, lexojnë dhe realizojnë në gjuhët e tyre, si ide të shenjta Shën Stefaniane, politikë afatgjatë dhe strategji për zhbërjen e mëtejshme të qenies shqiptare, tkurrjen dhe zbrazjen e hapësirës etnike, zvogëlimin e numrit të shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre të pandalur në botën e jashtme. Pse jo, kur kanë argatë kaq të devotshëm dhe të lirë në pazarin politik të Jeshil kojit në Maqedoninë Veriore, dhe jo vetëm!

*Yeşil köy (Katundi i gjelbër) në afërsi të Stambollit ku u nënshkrua Marrëveshja e Shën Stefanit (1878) për copëtimin e trojeve etnike shqiptare.

(17.VI.2020)