Osmani e gatshme ta lërë postin e kryetares së Kuvendit nëse ia kërkon VV-ja

Shpërndaje

Posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese të zgjedhjeve, e që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje.

Osmani është zgjedhur në krye të Kuvendit me propozim të VV-së, kur u krijua koalicioni VV-LDK. Tash që është prishur ky koalicion, Osmani thotë se është e gatshme ta lëshojë postin nëse ia kërkon VV-ja.

“Ne e kemi diskutuar menjëherë pas mocionit. E kanë të qartë këtë çështje. Kurdo që ata dëshirojnë të propozojnë kandidatë nga Grupi parlamentar i Vetëvendosjes, unë nuk do të jem pengesë, këtë e kanë ditur që nga 25 marsi. Nuk jam person që synon uzurpimin e pozitave”, ka thënë Osmani.

Ajo ka folur edhe për bashkëpunimin me Qeverinë Hoti, që sipas saj nuk është në nivelin që ishte me Qeverinë Kurti.

“Sot qeveria i ka pasur disa organizime, unë nuk kam qenë e ftuar, edhe pse si rregull, ato organizime që bëhen nga Protokolli i shtetit, ftohen të gjithë krerët shtetërorë, ashtu siç jam ftuar nga qeveria e kaluar. Raportet tona janë institucionale, në këtë kontekst edhe do të vazhdojë”, ka thënë Osmani.

Osmani: S’jam kundër qeverive të LDK-së, por kundër qeverive të sponsorizuara nga Thaçi

Kryetarja e Kuvendit ka treguar pse nuk e ka votuar Qeverinë Hoti. Ajo në Interaktiv të KTV-së, tha se nuk ka asgjë me qeveritë e LDK-së, porse problem i ka qeveritë e sponsorizuara nga presidenti Hashim Thaçi. Një e tillë, sipas saj është edhe kjo që u votua para pak ditësh.

“Nuk e kam votuar kundër qeverinë e LDK-së, por e kam votuar qeverinë e sponsorizuar nga Thaçi. Po flas si ide dhe skenar. Unë kam respekt për ministrat e LDK-së. Ka qenë skenar i Thaçit edhe atëherë kur e mbajti 6 muaj të bllokuar vendin që ta marrë LDK-në në koalicion. Edhe atëherë pata paralajmëruar, nëse e votoni për president, menjëherë do t’ua prish qeverinë dhe këtë e bëri. Edhe tash në momentin që t’i arrijë qëllimet e veta do ta rrëzojë këtë qeveri. Nuk është me patjetër të rrimë me VV-në, por unë kam kërkuar që të qëndrojmë në opozitë për këta muaj derisa të vijë puna për zgjedhje të presidentit, ashtu siç u kemi premtuar qytetarëve, do ta mbanim partinë e unifikuar, do ta mbanin njëlloj stabiliteti të vendit dhe do të dilnim ballëhapur para qytetarëve. Por tash të thuash se unë po votoj kundër qeverisë së LDK-së, është thënë më së buti, e pavërtetë. Nuk mjafton që vetëm kryeministri është i LDK-së, mjafton t’i dëgjojmë atë ditë çfarë u tha atë ditë në Kuvend, si u siguruan votat. Nuk mund të presë askush nga unë që të mbylli gojën dhe sytë e të mos e përmend faktin që votën e 61-të ua ka siguruar presidenti në mënyrë të kundërkushtetuese”, ka thënë Osmani.

Osmani flet për qortimet, mosftuarjen në mbledhje dhe mundësinë e përjashtimit nga LDK-ja

Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës, thotë se asnjë parti nuk mund të mbijetojë pa besim qytetar. Ajo në Interaktiv të KTV-së ka folur edhe për qortimet që vijnë nga partia e saj, por edhe paralajmërimet se mund të përjashtohet. Ajo e sheh ndryshe funksionimin e partisë.

“Një parti nuk mund të mbijetojë pa besim qytetar, nuk është partia që një herë në katër vjet të shkojmë te qytetarët, e më pas partia jemi vetëm ne. Duhet me pas lidhshmëri të përhershme gjatë 4 viteve mes strukturave, Grupit parlamentar dhe qytetarëve. Pa këtë lidhje, suksesin nuk mundesh me e pa. Këtu kemi dallime të mëdha konceptuale. Nuk e di a mund të vijë te përjashtimi, ka disa që thonë se është diskutuar, disa jo. Është vendim i tyre, le ta marrin, është në ndërgjegjen e tyre”, ka thënë ajo.

Osmani ka folur edhe për pozicionin brenda partisë, ku është nënkryetare.

Thotë se që nga marsi nuk është ftuar në mbledhje e Kryesisë së ngushtë partisë dhe se ka dëgjuar nga mediat se LDK-ja do të formojë koalicion me AAK-në, Nismën dhe minoritetet.

“Në Kryesinë e ngushtë të LDK-së nuk jam ftuar nga fillimi i marsit dhe kohëve të fundit aty janë marrë vendimet dhe më pas janë përcjell në Kryesi. Edhe të tjerët kanë folur publikisht, nuk janë pajtuar, por janë ftuar. E për një proces zgjedhor që unë e kam udhëheq, në emër të LDK-së nuk jam ftuar as unë as të tjerët që kanë qenë në listë. Unë, më 25 mars pas mocionit të mosbesimit, nga mediat kam dëgjuar që LDK-ja po shkon në koalicion me AAK-në, Nismën dhe minoritetet. Pra të dalësh në zgjedhje duka ua kërkuar qytetarëve besimin për të marrë kompetenca të plota për ta udhëhequr vendin dhe pastaj të të mos besohet për gjëra të tilla, është vërtetë e papranueshme politikisht. Për mua është jo e drejtë që të merren vendimet, e më pas të më komunikohen, por kjo është rruga që e kanë zgjidhur. Nuk është hera e parë që në rrugën që e trasojmë bashkë dhe ua premtojmë qytetarëve, mua më braktisin dhe më lënë të vetëm, mirëpo nuk jam dorëzuar as atëherë e as tash”, ka thënë ajo.

Osmani thotë se ata që po e quajnë reciprocitetin pengesë, po i krijojnë disavantazh Kosovës

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e ka vlerësuar si gabim të madh të Qeverisë Hoti heqjen e reciprocitetit me Serbinë.

Ajo e ftuar në Interaktiv të KTV-së, tha se ata që e quajnë reciprocitetin pengesë, po i bëjnë disavantazh të madh Kosovës me rastin e rinisjes së negociatave me Serbinë. Sipas saj, kjo i bie që Kosova deri më tash ishte pengesa në dialog.

“Për mua ka qenë gabim tejet i madh që reciprociteti të quhet pengesë nga Qeveria, pasi reciprociteti është përgjigje ndaj pengesave që dikush i vë, kjo është kundërpërgjigje, nuk është hap që ti e merr i pari, është gjithnjë kundërpërgjigje. Reciprociteti të quhet pengesë do të thotë që në fillim, që në krye të herës, se ti i ke krijuar disavantazh Kosovës në tavolinë, pasi për herë të parë ne po themi se ne jemi pengesë. Kosova kurrë nuk ka qenë pengesë”, u shpreh Osmani.

Osmani: Dialogu duhet të udhëhiqet nga qeveria, jo presidenti

Vjosa Osmani ka folur edhe për heqjen e reciprocitetit nga Qeveria Hoti, për çka kryeministri Avdullah Hoti kishte thënë se është pengesa e fundit për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se dëshiron dialog të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi dialog në Shtëpinë e Bardhë me përfaqësuesin Richard Grenell.

Në Interaktiv, ajo tha se është e dëmshme për Kosovën të ketë dy palë negociatash ku në njërën përfaqësohet nga presidenti e tjetrën nga kryeministri.

“Duhet të jetë një proces dhe në përputhje me Kushtetutën. Dialogu duhet të udhëhiqet nga Qeveria. E kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese që qartëson një gjë të tillë. Presidenti nuk mund ta udhëheq dialogun. Nëse kryeministri e lejon një gjë të tillë do të bënte gabim në dëm të vendit dhe dialogut. Sa i përket asaj se kur mund të pritet një rezultat është vështirë të thuhet sepse ka konfuzion total mes institucioneve sepse dikush shkon në Washington e dikush në Bruksel. Presidenti e kryeministri duhet të sqarojnë se si i kanë ndarë detyrat. A janë temat e ndara, a çështjet, sepse kompetencat i ka qeveria. Edhe në Washington edhe Bruksel, Kosova duhet të përfaqësohet nga qeveria”, tha Osmani.

Osmani pyet Qeverinë dhe Presidencën: A do të preket territori i Kosovës

Vjosa Osmani, kryeparlamentare në Kuvendin e Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria dhe Presidenca të deklarohen se “a do të preket ndonjë milimetër e territorit të Kosovës”.
“Nuk e di pse pati reagime në panik për një gjë shumë të thjeshtë kur unë thash se është mirë të deklarohen dhe të japin garanci, sepse kemi kryeministrin dhe presidentin, dy institucione që po synojnë të udhëheqin dialogun. Që nga të dyja duhet të dëgjojmë a do të preket ndonjë milimetër e territorit të Kosovës. Është pyetje tejet legjitime sepse unë jam përfaqësuese e qytetarëve që më kanë votuar”, tha ajo.

Osmani, në Interaktiv tha se Thaçi, ashtu siç po raportohet se mund ta udhëheqë dialogun, nuk do ta bëjë në përputhje me Kushtetutën.

“Secili deputet duhet t’i bëjë thirrje institucioneve që të garantojnë paprekshmërinë e territorit të Kosovës sepse më pas futemi në një lojë të rrezikshme. Nëse kthehemi prapa te koha kur Serbia paraqiste qëndrimet e tyre para Gjykatës Kombëtare të Drejtësisë tregohej qartë se çka synojnë. Ata thoshin ne duam dialog pafundësisht sepse në dialog marrin diçka. Ne mendojmë që është finalja, e pastaj kërkojnë edhe një dialog tjetër. Edhe aty marrin diçka. Ne prapë mendojmë që është finalja, por del që as kjo s’ishte finalja. Pastaj e kërkojnë edhe një tjetër, bile patën përmendur modelin Izrael – Palestinë – atë e kërkonin. Dekada të tëra të negociatave ku në secilin dialog marrin diçka. Njëherë territor, njëherë kompetenca ekzekutive për asociacion, më pas komuna shtesë e shumëçka tjetër. Në fund, del që kanë marrë gjithçka që kanë dashtë”, u shpreh Osmani.

Sipas kryeparlamentares, nga i gjithë procesi për dialogun, diku rreth 2 vjet, “diçka duhet të ketë dalë”.

“Natyrisht që ata që janë takuar nuk kanë folur thjesht a është moti i mirë apo jo. Temë ka qenë Kosova. Një dokument të caktuar, që unë personalisht nuk e kam parë, por në qarqe diplomatike flitet për çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtat e kishës, rivizatim të kufijve, edhe pse kemi interpretime të ndryshme dikush thotë demarkacion, dikush delimitacion, ndarje, shkëmbim, por të gjitha janë kategori që përfshijnë prekje të territorit”, u shpreh Osmani.

Osmani e befasuar nga heshtja e LDK-së për akuzat e Thaçit

Për deklaratat e presidentit Hashim Thaçi dhe gjuhën nxitëse, pati shumë reagime, ndër to, tërthorazi reagoi edhe QUINT-i. Por, Lidhja Demokratike e Kosovës, prej nga vjen kryeparlamentarja Vjosa Osmani, nuk reagoi, sipas saj. Një gjë e tillë për të, duket se ka qenë e pritshme.

Ajo në Interaktiv të KTV-së, megjithatë, e quajti befasuese mosreagimin nga LDK-ja e kreu i partisë.

“Ishte e pritshme sepse po flasim për presidentin e vendit dhe jo vetëm nga z. Mustafa por edhe zyrtarë tjerë të lartë, sepse pjesa dërrmuese kanë qenë në LDK që nga vitet e 90-ta dhe e dinë që kjo logjikë ishte e njëjtë sikur ajo që përdorej menjëherë pas luftës. E dinë shumë mirë se në çka ka rezultuar ajo, dhe mbi të gjitha, e dinë se kush është babai im. Për mua ka qenë befasuese ky mosreagim sidomos duke ditur që unë gjithnjë kam reaguar kur familjet e tyre janë atakuar edhe pse kanë qenë komente të qytetarëve e jo akuza nga presidenti i vendit”, tha Osmani.

Ndër tjera, Osmani thotë se pret nga presidenti Thaçi të tërhiqet nga deklaratat e tij.

Osmani paralajmëron procedura ligjore ndaj Thaçit “për shpifje ndaj familjes së saj”

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, në Interaktiv të KTV-së, ka paralajmëruar procedura ligjore ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se familja e Osmanit i ka shërbyer Serbisë.
Fjalimi i sotëm në Kuvend i Osmanit ngjalli debate. U kritikua se nuk ka përmendur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë, ajo tha se ka dëshmi se ka folur disa herë për ta.

“Dëshmitë ekzistojnë. Në të gjitha seancat solemne kam përmendur sakrificën e UÇK-së dhe gjithë atyre që kanë luftuar e sakrifikuar. Fjalimet e mia ekzistojnë. Nuk është e dinjitetshme kur në kohën kur të gjithë do të duhej të ishim bashkë të spekulohet kur dëshmia e thotë të kundërtën”, u shpreh ajo.

Por këtë, ajo e pa si vazhdimësi të një përpjekjeje të presidentit Hashim Thaçi, për siç tha ajo, “për të më paraqitur si një njeri që nuk e vlerëson luftën”.

“Jo vetëm mua por duke atakuar edhe familjen time. Mënyra më e mirë se si i nderojmë ushtarët tanë është për të punuar me përgjegjësi”, u shpreh ajo.

E për akuzat për familjen dhe babanë e Osmanit nga presidenti Thaçi, se ka shërbyer për Serbinë, Osmani ka paralajmëruar procedura ligjore, kur është pyetur nëse do të ndërmerr veprime të tilla.

“Me këto sjelljet e fundit fatkeqe të presidentit nuk është se më ka befasuar shumë sepse është kohë e gjatë që përdor gjuhë të ngjashme. Për fat të keq, sepse në skenën tonë politike, në kohën e pasluftës kur edhe vriteshin zyrtarët e LDK-së, që i shpallnin tradhtar e bashkëpunëtorë të Serbisë, ka qenë një periudhë kur partitë politike kishin një luftë me njëra-tjetrën. Për mua, që kurrënjëherë nuk e kam atakuar familjen e askujt, është me rëndësi që idetë e këqija t’i godasim ashpër por jo me familjarët e atyre që promovojnë këto ide”, tha tutje Osmani.

Tutje, Osmani shtoi se te presidenti, “kanë parë gjuhë që nxit jo vetëm urrejtje por edhe dhunë”.

“Natyrisht që për familjen time kjo nënkupton që nuk e kanë nivelin e njëjtë të sigurisë si më herët. Ne e marrim situatën me qetësi, por organet e drejtësisë urgjentisht duhet të merren me këtë rast. Jo pse ka të bëjë me mua, por për shkak se kjo mund të hap rrugën drejt situatave që nxisin dhunë. Nuk kemi kërkuar siguri të shtuar sepse kjo ta ndryshon jetën komplet. Prindërit e mi duan të kenë liri por po diskutojmë ekspertë të kësaj fushe për të parë nëse duhet diçka e tillë. Shpifjet dolën nga disa portale të cilat për fat të keq njollosin edhe punën e UÇK-së”, u shpreh tutje ajo.

Osmani, ka shtuar se është e domosdoshme të nisen procedura ligjore.

“Është e domosdoshme sepse është shpifje që rrezikon familjen time. Kur e thotë institucioni i shtetit, mund të ketë njerëz që i besojnë dhe nxisin dhunë”, u shpreh ajo.