Osmani: Gënjeshtra se babai im ka punuar për serbët është shpifje e radhës

Shpërndaje

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se një numër i madh shpifjesh, ashtu edhe siç pritej, po publikohen e shpërndahen këto ditë, por kur ato kalojnë çdo kufi dhe tentojnë të cenojnë integritetin familjar, atëherë duhet edhe të reagohet edhe të denoncohen shpifësit e të ndiqen rrugët ligjore.

Sipas saj, përkrahësit e tregtarëve të kufijve paskan gjetur një fotografi të dy policëve serbë dhe pa fije turpi gënjejnë se njëri nga ta në fotografi është babai i saj, Raif Osmani, njofton Klan Kosova.

“Natyrisht që në atë foto nuk është babai im e natyrisht që edhe gënjeshtra se ai ka punuar për serbët është shpifje e radhës e atyre që sot e kthyen Kosovën në varësi të Beogradit”.

“Për fatin e keq të vendit tonë, shpifjeve të tilla u shërbejnë edhe disa pseudo-portale të shndërruara të mjete propagandistike të tregtarëve të kufijve”.

“E edhe më fatkeqe është kur shoh disa që e quajnë veten aktivistë të LDK-së tek shpërndajnë shpifje të tilla teksa harrojnë që po këta që po i montojnë këto gënjeshtra sot, dje nga hotele të Shqipërisë përgatisnin komunikata e shpallnin tradhtarë veprimtarët më të mirë të LDK-së”.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të saj:

Babai im është larguar nga puna më 15 mars të vitit 1989 duke u bërë kështu ndër shqiptarët e parë që largohen dhunshëm nga puna nga regjimi serb, pikërisht pse ka besuar dhe ka folur publikisht për Kosovën Republikë. Ai në fillim të viteve të 90-ta i është bashkuar përpjekjeve të para të Presidentit Rugova për të ndërtuar shtyllat e mbrojtjes për rajonin e Mitrovicës (në sistemin paralel) dhe për këto përpjekje është burgosur dhe ka përjetuar tortura çnjerëzore në burgjet serbe. Për këtë, dëshmitarë janë qytetarët e Mitrovicës, organizatat e të drejtave të njeriut si dhe aktivistët e LDK-së të asaj kohe. Por, shpifësit e këtyre ditëve po dëshirojnë ta barazojnë sistemin jugosllav me atë të ndërtuar nga Presidenti Rugova. Të bësh një barazim të tillë duke u shërbyer me montime e fotografi të policëve serbë dhe të tentosh të denigrosh dikë që ka punuar për Kosovën shtet të pavarur e sovran që nga viti 1989, është e pafalshme dhe joetike. Prandaj edhe familja ime do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore ndaj portaleve që po i shkruajnë këto shpifje e montime si dhe ndaj individëve shpifës që po i shpërndajnë ato.