Përjashtimi i Vjosa Osmanit nga partia me pasoja të pa llogaritshme për LDK-në!

Shpërndaje

Njohësi i çështjeve politike, Dorajet Imeri në një prononcim për Gazeta Blic, ka folur më gjerësisht mbi mundësinë e përjashtimit të Vjosa Osmanit nga strukturat e partisë.

Imeri thotë se nëse Lidhja Demokratike e Kosovës përjashton Osmanin nga partia, pasojat për këtë subjekt politik do të ishin të pa llogaritshme.

“LDK, për mendimin tim veçse është e dëmtuar, ngaqë me disa veprime të fundit, ka dhënë dëshmi të mjaftueshme se nuk i qëndron pas fjalës së dhënë. Elektorati i Kosovës këtë nuk do ta harrojë këtë. Përjashtimi eventual i Vjosës, do të ishte, në linjë me këto veprime, por pasojat e këtij veprimi do të ishin të pa llogaritshme për LDK-në. Disa gjëra duhet t’i dimë paraprakisht; elektorati i Kosovës voton për liderin, më shumë se sa për subjektin. Kjo është dëshmuar në vazhdimësi.

“Pas vdekjes së President Rugovës, LDK-ja përherë i ka humbur zgjedhjet, me gjasë se nuk ka arritur që as për së afrimi të riprodhojë një lider, së paku të nivelit partiak. Vjosa Osmani, e ka rikthyer besimin ndaj subjektit, sigurisht këtu luan rolin themelor vetë personazhi politik i saj, që thënë të drejtën është një dimensional, është reaktiv nga lidershipit të PDK-së dikur e në veçanti në raport me Presidentin Thaçi, ndryshe pak është i njohur dimensioni menaxhues, lidershipi në raport me proceset e renda politike, pra dimensioni objektiv i znj. Osmani, është i panjohur, në rastin më të mirë.”

Imeri tutje shpjegon se LDK-ja me statut të partisë mund të shkarkojë çdo anëtar të këtij subjekti por në rastin e zonjës Osmani është ndryshe, pasi nuk është anëtare e thjeshtë e partisë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka paraparë me statut përjashtimin e ndonjë anëtari nga ky subjekt. Neni 11, pika 5, thotë se anëtarësimi në LDK pushon dhe fshirja nga evidenca bëhet me anë të përjashtimit, por në statut nuk jepen detaje të tjera, si: shkaqet, procedurat, arsyeshmëria, etj. Pra, nominalisht, LDK-ja, mund të përjashtojë çdo anëtar të këtij subjekti, por praktikisht znj. Osmani nuk është një anëtarë i thjeshtë i partisë, është figura qendrore e subjektit, është njeriu më i votuar dhe nënkryetarja e partisë”.

Osmani pas “ultimatumit” të Isa Mustafës për përjashtim nga partia ka deklaruar se për qëndrimet e saj nuk koordinohet me askënd.

“Unë i kam qëndrimet e mia që burojnë nga puna ime me kolegë, me njerëz që vërtetë e dojnë LDK-në, që vërtetë e dojnë Kosovën në këto dy dekada, dhe këto qëndrime kanë qenë gjithnjë të njëjta”, tha Osmani në një prononcim për media.