Prof Mehmeti për idenë e Kryeministrit shqiptar: Kur njëmijë buaj e tërheqin një qime nga qulli politik

Shpërndaje

Rreth idesë për kryeministër shqiptar të Maqedonisë Veriore

Shkruan: Abdulla Mehmeti

PRETENDIMET PËR KRYETAR SHTETI DHE KRYEMINISTËR SHQIPTAR TË MAQEDONISË VERIORE NUK JANË JODEMOKRATIKE DHE TË PALIGJSHME

(Kur njëmijë buaj tërheqin një qime nga qulli politik)

Shqiptarët në Maqedoni kanë djegur 784.886 vota me kandidatët për kryetarë shteti deri më sot, pse duhet t’i hallakatë ideja për kryeministër shqiptar të këtij shteti të përbashkët?

Pretendimi nga një parti politike e shqiptarëve për synimin e pozitës së kryeministrit në Maqedoninë Veriore është e drejtë e çdo subjekti poliitik, në një shtet ku ajo dhe parti të tjera politike të shqiptarëve marrin pjesë në pushtet që nga viti 1990 e deri më sot.

Kjo ide nuk duhet të trazojë debate të panevojshme dhe shterpe, sepse nuk përbën asgjë të re, spektakulare dhe jodemokratike, përderisa në fushata zgjedhore janë thënë e paraqiten edhe ide nga më të ndryshmet, të realizueshme e të parealizueshme; edhe nëse ato janë të kota e banale, mbeten synime politike të bartësve të tyre, që nuk e obligojnë asnjë qytetar jashtë vullneti të tij, ligjërisht e as moralisht.

Çdo subjektet politik ka të drejtë të synojë edhe pozitat më të larta në pushtetin e vendit ku vepron, si kryeparlamentarin, kryeministrin apo presidentin e shtetit.

Në mandatin e sapopërfunduar, kryetar i Parlamentit të këtij shteti ka qenë një shqiptar nga radhët e kësaj partie politike, e cila tani synon pozitën e kryeministrit, dhe kjo nuk ka qenë hera e parë që parlamentin e këtij shteti ta drejtojë një kuadër shqiptar, meqë para këtij të fundit, këtë detyrë e ka ushtruar edhe një kuadër tjetër me përkatësi shqiptare, gjatë regjimit komunist.

Pse duhet të shndërrohet në temë debati publik një çështje e brendshme partiake, kur as e para e ka zbuluar këtë ide, as e pretendon këtë post me dhunë, por përmes votës së lirë të qytetarëve, sipas ligjeve dhe kushtetutës, në të cilat janë të përcaktuara edhe rregullat edhe numrat në lidhje me këtë çështje.

Pse tani ju duket interesante kjo ide, përderisa partitë shqiptare ka kohë që garojnë me kandidatë të tyre për kryetar shteti të Maqedonisë Veriore, edhe atë: nga viti 1999, në 5 cikle zgjedhore me radhë, me 9 kandidatë nga radhët e shqiptarëve për presidentë shteti, nga disa parti politike, dhe as më pakë e as më shumë kanë DJEGUR afërsisht 784,886 vota të qytetarëve për këtë ide, nga e cila asgjë nuk kanë fituar shqiptarët, por kanë përfituar vetëm kandidatët dhe partitë politike të tyre.

Shpenzimi i energjisë dhe kohës për tema të këtilla, dëshmon për impotencën tonë politike dhe intelektuale, mungesën e vizionit dhe shterpësinë e ideve, prandaj edhe kapen njëmijë buaj për tërheqjen e një qime nga qulli politik i krijuar në vendin tonë, jo pa fajin tonë.