Reisi i ri kundër Reisit të vjetër për koronën! U dha gazetarëve bakllavë, por jo përgjigje përmbajtjesore

Shpërndaje

Korona ekziston dhe Bashkësisë Fetare Islame nuk i takon të japë deklaratë për të, sepse ajo i takon shkencës. Kështu resi i ri, Shaqir Fetahu tregoi se nuk pajtohet me qëndrimin e reisit të vjetër, Sulejman Rexhepi i cili tha se virusi korona nuk ekziston dhe e shpalli të vdekur.

“Kjo sëmundje është e vërtetë, sepse të gjithë organet kompetente kanë vërtetuar në tërë botën se kjo sëmundje ekziston dhe shumë është e rrezikshme dhe nuk ka hajgare me këtë punë. Ne jemi institucion fetar, nuk jemi kompetent dhe nuk kemi të drejtë të tregojmë se a ekziston a jo,” tha Shaqir Fetahu, reis i BFI-së.

Takimin e sotëm e kishte organizuar veçanërisht për gazetarët, që duke u dhënë bakllava, të dëshmojë se do të jetë transparentë dhe do të japë përgjigje për çdo pyetje, siç tha ai, edhe kur kanë të bëjnë për dështimet e BFI-së.

“Duam t’i drejtohemi publikut duke i prezantuar sukseset tona, por edhe duke i pranuar dështimet eventuale dhe duke shtjelluar sinqerisht shkaqet e vërteta. Dëshirojmë të ngrisim zërin tonë ndaj ndonjë padrejtësie, kështu e kuptojmë ne transparencën dhe kështu do të veprojmë,” tha Shaqir Fetahu, reis i BFI-së.

Sapo përfundoi fjalimin, u bë gati të shkojë duke mos pasur ndërmend të japë përgjigje në pyetje. Por kritikat e gazetarëve ia ndryshuan planin.

Gazetar: E pyetjet para kamerës? Neve nuk na duhet bakllava, neve na duhen përgjigje ndaj pyetjeve?
Shaqir Fetahu: “Vetëm më shkurt, sepse na presin atje”

Por sërish nuk morëm përgjigje as për pyetjet që më së shumti pyet publiku: Pse u shkarkua Sulejman Rexhepi, për shkak të arsyeve private apo se ka keqpërdorim financiar dhe kur do të nisin zgjedhjet në BFI?

“Ne jemi në fazën e analizave administrative, financiare, analizave të jetë fetare dhe momentalisht nuk jemi prej atyre që duhet të flasim pa argumente. Do të jemi opsion i argumentit, dhe jo opsion i bisedave të rrugëve të themi shpifje,” tha Shaqir Fetahu, reis i BFI-së.

Reisi Fetahu në këtë post erdhi pasi u shkarkua kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi. Për shkarkimin e Rexhepit ka pasur spekulime të ndryshme, të cilat as nuk i konfirmojnë dhe as mohojnë përbërja e re e BFI-së. Ditë më parë Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit ka njoftuar se 5 vjet BFI nuk ka dorëzuar llogari përfundimtare. Për këtë Antikorrupsioni premtoi se do të kërkojë përgjegjësi nga Regjistri Qendror, pasi sipas tyre 10 vjetë e fundit në llogari të BFI-së janë deponuar 9 milionë euro si kompenzim i pronës. Antikorrupsioni tash po pret raportin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike i cili do të definojë edhe hapat e mëtejmë të këtij institucioni./TV21