Shqelmat e fundit të regjimit VMRO-BDl, nuk e fshehin më koalicionin!

Shpërndaje

Shkruan: Robert NESIMI

Katër vite më parë ra gjysma e regjimit dhjetëvjeçar VMRO-BDl. Për shkaqe numrash atëherë BDl mbeti në pushtet edhepse e përgjysmuar, por tani është e qartë se ka ardhur koha që edhe kjo parti t’i bashkëngjitet partnerit të vet në opozitë. Këto ditë pamë se BDl ju rri krah kërkesave të VMRO për zgjedhjet; Bujar Osmani deklaron se pa VMRO zgjedhjet nuk do jenë legjitime dhe duhet të përsëriten pas 6 muajve; anëtarët e të dy partive në KQZ refuzojnë të caktojnë mbledhje; ndërsa Talat Xhaferi thotë se nuk do t’i respektojë normat ligjore derisa të merren vesh partitë. Pra këto parti nuk e fshehin më koalicionin e tyre, i cili faktikisht nuk ka pushuar së funksionuari asnjëherë.

VMRO dhe BDl qeverisën dhjetë vite me radhë, vite katastrofale që larguan vendin nga rruga euroatlantike dhe e afruan me Rusinë. Në këtë kohë BDl arsyetohej se nuk ka çare tjetër (edhepse kishte në vitin 2011 kur VMRO nuk kishte shumicë), kinse rri në qeveri me VMRO nga zorri. Por bombat dëshmuan se nuk bëhej fjalë për bashkëqeverisje të thjeshtë, sa vëllazërim total mes dy subjekteve, që pandërprerë kishin ndihmuar njëra tjetrën. Në njërën bombë dëgjuam se BDl i ka dalë hakut VMRO-së në zgjedhjet lokale në Kumanovë, sepse i ka patur borxh për ndihmën e saj në komunat tjera. Në vitin 2009 BDl votoi direkt Ivanovin në rrethin e dytë, ndërsa në 2014 kur pa më se nuk mund t’i detyrojë shqiptarët të votojnë Ivanovin dhe nga frika se mos votojnë Pendarovskin, bashkë me VMRO-në sajuan marifet tjetër. BDl u shtir kinse do bojkotojë zgjedhjet presidenciale, u sajua krizë qeveritare dhe u mbajtën zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por në vend se të mbahen në rrethin e parë, ato u mbajtën në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që mos të dështojë cenzusi dhe që Ivanovi të zgjidhet përsëri kryetar. U tha, u bë, ndërsa kriza menjëherë u harrua dhe dy partitë vazhduan martesën e tyre në qeveri.

Ky vëllazërim hasi me probleme vetëm pas zgjedhjeve të vitit 2016. Atëherë BDl u përball me presion të lartë që mos bëjë koalicion me VMRO-në, së pari nga i gjithë populli shqiptar, e pastaj nga partitë tjera shqiptare që refuzuan t’i bashkangjiten një koalicioni të tillë, që i duhej BDl-së si legjitimim. BDl nuk u ndal as para këtyre presioneve dhe arriti marrëveshje bashkëqeverisje me VMRO-në. Procesi u ndal vetëm në orët e fundit, pas thirrjes telefonike që morri Ali Ahmeti nga një ambasadë e huaj, sepse më e madhe se dashuria ndaj VMRO-së për të është vetëm frika nga faktori ndërkombëtar.

Por as pas prishjes së koalicionit marrëdhëniet mes dy partive nuk u prishën. Në asnjë rast nuk pamë që VMRO të kritikojë për diçka BDl-në, ndërsa kjo shihte si e si t’i japë material asaj për propagandë nacionaliste. Kjo vëllazëri zatën u pa edhe në momentet më dramatike të 27 prillit, kur terroristët e VMRO-së u vërsulën të vrasin Ziadin Selën, ndërkohë që përqafoheshin me deputetët e BDl-së.

Në bashkëqeverisje me SDSM-në, BDl morri rol tjetër: të mbrojë sa të mundet njerëzit e VMRO-së. Mu për këtë nuk ishte i rastësishëm përqafimi i Mickovskit me Ali Ahmetin, edhepse kinse ishin në anë të kundërta. Në çdo ministri, drejtori apo agjenci ku udhëheq BDl, administrata e VMRO-së vazhdon të jetë e përkëdhelur dhe mbrohet me çdo kusht nga ndonjë procesi kundër tyre, ndërsa firmat e VMRO-së vazhdojnë të lulëzojnë në bashkëpunim me ato të BDl-së. Kulmi i këtij fenomeni ishte momenti kur Talat Xhaferi me manovra të ulta birokratike shpëtoi nga burgu Trajko Veljanovskin, por i njëjti proces në fakt ka ndodhur me mijëra herë gjatë katër viteve të kaluara nëpër institucione të ndryshme. Në këmbim VMRO i ndihmoi me vota BDl-së në zgjedhje lokale, sepse kundër vullnetit të shqiptarëve asaj nuk i mjaftonte vetëm ndihma e SDSM-së.

Njëri nga truqet e preferuara të dyshes VMRO-BDl ishte inskenimi i krizave me qëllim që fokusi të zhvendoset nga dështimet e tyre tek nacionalizmi. Kështu bënë me rastin e Kalasë, rastin Monstra, zgjedhjet presidenciale 2014, rrahjet nëpër autobusa e të tjera. Saherë që BDl dhe VMRO kanë problem me rejtingun, ata shpikin beteja të reja fiktive mes tyre.
Kështu është edhe me çështjen e kryeministrit shqiptar që e promovon tash BDl-ja, por që me siguri është koordinuar me VMRO-në. BDl-ja e dështuar në çdo anë nuk ka dëshirë të bëhet muhabeti i tenderave, vrasjeve, kurdisjeve, proceseve të montuara e shumë krimeve të tjera, andaj patjetër don ta zhvendosë temën tek diçka tjetër, edhepse e din se kryeministri zgjidhet me marrëveshje pas zgjedhjeve dhe jo me vota gjatë zgjedhjeve. Zatën kjo parti nuk pati pretendime të tilla as kur i kishte 20 deputetë, e lere më tash kur si duket po mbetet me 5-6. Ndërsa VMRO pas sjelljes destruktive gjatë pandemisë nuk ka çfarë t’i ofrojë më votuesit, përveç se të ofrohet edhe një herë t’i mbrojë maqedonasit nga “rreziku shqiptar”. Pasi nuk ka çfarë të trillojë më, do ta përdorë “problemin” që ja servon BDl-ja.

Për fat të mirë kjo është edhe loja e tyre e fundit e këtillë, sepse regjimi që filloi në vitin 2008 po i jep shqelmat e fundit në korrik të vitit 2020. Vëllezërit e deritashëm përsëri do t’a gjejnë veten bashkë, tani në opozitë.