Tetë medaljone me portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut të shekullit XV

Shpërndaje

Shkruan: Lutfi ALIA – (Siena – Itali)

Në shekujt e mesjetës, populli ynë përjetoi qytetërimin perëndimor, respiroi kulturën europiane dhe ishte e mbetet pjesë integrale e Europës. Eqerem Çabej shkruan: “Dalmacia dhe Albania e më pas Ishujt Jonikë, janë vendet, që u hapën direkt e më tepër ndaj influencës kulturore të perëndimit”. Aleks Buda thekson: “Në mesjetë, Albania ishte e zhvilluar në nivelet e vendeve më të përparuara të europës. Krahas rolit të fisnikëve arbëror, në lidhjen e Albanisë me perëndimin, luajti rol kisha katolike, si thotë M. Šufflai: “Me ndihmën e Selisë së Shenjtë, Tivari dhe më pas e gjitha Albania, u shndërruan në bazat operative të perëndimit, kundër ortodoksisë dhe kundër sllavizimit”; ndërsa L. Thallòczy shkruante: “Françeskanët ishin e vetmja rezervë e perëndimit, që qëndroi në Albania dhe kur interesat e Europës për këto vise u shterën krejtësisht”.

Si rezulton në dokumentat e shekullit XV, Gjergj Kastrioti, Princi i Matit, Zoti i Dibrës dhe i Krujës, nga viti 1443 Dominus Albaniae – Zoti i Albanisë, ashtu si gjithë fisnikët e asaj kohe, kishte stemën heraldike me shqiponjën dykrenore, sipër yllin me gjashtë cepa; kishte flamurin me sfond të artë dhe shqiponjën e kuqe, kishte vulën zyrtare dhe atë sekrete, që i përdorte në letrat dërguar miqëve, Papëve, në letrat kredenciale me mbretërit, princat, me fisnikët europianë dhe në letrat dërguar sulltan Mehmetit II.

Stemat heraldike të dinastive fisnike dhe të shteteve arbërore, u shfaqen në fillimet e shekullit XII me princat Progoni të Shtetit të Arbërit, në shekullin XIII me Mbretërinë e Albanisë të Karlit I Anzhu dhe më pas në vazhdimësi në të gjitha familjet patronomike arbërore: Arianiti, Balsha, Topia, Kastrioti, Dukagjini, Muzaka, Engjëlli, Gazuli, Golemi, Gropa, Jonima, Manesi, Martaseos, Matranga, Shpata, Skura, Spani, Vrana, Zaharia, Zenebishti etj. Heraldika albanese ishte origjinale, përbërëse e heraldikës evropiane, me të gjitha karakteristikat. Krahas stemave heraldike dhe flamujve, fisnikëria europiane përdorte medaljone, të prodhuara për të prezantuar origjinën fisnike, pozicionet sociale, poltike, ekonomike dhe ushtarake, dhe për qëllime perkujtimore, murale, honorifike. Medaljone kishin dhe fisnikët arbëror, disa ende ruhen, por shumica kanë humbur. Këto medaljone ishin shprehje artistike e binomit personazh – imazh, ishin vepra arti plastike, të cilat pasqyronin aspektet sociale dhe historike të personazhit të realizuar në ikonografi. Fillimisht, medaljonet ishin private, personale. Në vitet e më vonëshme, për vlerat artistike dhe historike që morën, përfunduan në muzeume dhe në koleksione private, kësisoj u bënë pjesë e historisë zyrtare të shteteve. Historianët, studiuesit e medaljonistikës dhe numimastikës, kanë botuar vepra të shumta, duke evidencuar vlerat e këtyre medaljoneve. Një ndër punimet me vlera historike dhe artistike për medaljonet, është vepra e studiuesit venecian Piero Voltolina: “Storia della Repubblica di Venezia attraverso le medaglie”, botuar ne vitin 1988 në Milano.

Në vëllimin e parë të kësaj vepre (shekujt XIV – XVI), autori prezanton një koleksion të pasur, me 840 medaljone mbretërish, princash, papësh, klerikësh, fisnikësh, ushtarakësh dhe të institucioneve të shquara të asaj kohe, duke filluar nga Venecia, Roma, Vatikani dhe të shumë qyteteve italiane, duke vazhduar me Raguzën, Albaninë, Ishujt Jonikë e deri ne Qipro; nga kufiri me Austrinë, në Dalmaci e deri në Kretë, ku shtriheshin zotërimet e Venedikut, madje dhe personazhe të Perandorisë Osmane.

Piero Voltolina, me këtë koleksion medaljonesh, ka paqyruar historinë e Venecias, me prestigjin, kulturën, artin, potencën politike, ekonomike, tregëtare dhe ushtarake të Serenissimës, ka ekspozuar një histori në këndvështrim specifik, nëpërmjet prezantimit të medaljoneve me imazhe të protagonistëve të kohës, të plotësuara me informacione sintetike, duke dhënë dëshmi interesante të shumë figurave të shquara jo vetëm të Venecies, por dhe të vendeve të tjera fqinje dhe të aleatëve të largët. Kjo vepër i dhuron lexuesve njohuri kulturore, artistike dhe historike, por dhe emocione e krenari, sepse njihen me figura historike të vendit dhe trevave të tyre, si ndodh me ne shqiptarët, kur në këtë vepër gjejmë dhe medaljonet me portretin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu dhe të finikëve të tjerë shqiptarë si të Antonio Alfonso Kastrioti Granai, të Nicolò Leonik Tomeo dhe të Kostandin Arianit Komnenit. Përfshirja e medaljoneve të Gjergj Kastriotit në këtë vepër madhore, nuk lidhet vetëm me rrethanën se janë prodhuar në Itali, por dhe me faktin historik, se familja Kastrioti bënte pjesë në klasën e fisnikëve venedikas. Princi Gjon Kastrioti, ishte miku besnik dhe aleati i Venecias dhe bashkë me djemtë, kishte nënshkruar marrëveshje miqësie dhe bashkpunimi me Serenissimën. Në vitin 1413, Senati i Republikës së Venecias i dha princit Gjon Kastrioti titullin e trashëgueshëm “Qytetar Nderi i Veneto”, titull që e gëzonin dhe djemtë e tij. Dorit Raines thekson se në vitin 1416, familja Kastrioti ishte në listën e patricëve të Venecias. Më 28 maj 1438, Senati i Venedikut i rinjeh Gjon Kastriotit të drejtat dhe privilegjet e patricit.

Princi Gjon Kastrioti vdiq më 1442, Principata e Arbërit ra nën pushtimin ottoman.

Në vitin 1443, Gjergj Kastrioti u kthye në Krujë dhe rimori zotrimet e principatës të Arbërit, ndërsa tre djemtë e tjerë të Gjonit, vdiqën në moshë të re. Reposhi, murg në manastirin Hilanderit në Malin të Shenjtë pranë Selanikut, kishte vdekur në vitin 1431; Stanisha vdiq në vitin 1446 dhe u varros në Manastirin e Shën Marisë Hyjlindëse në Martanesh ; Kostandini e humbi jetën në rrethana të panjohura dhe para vitit 1443.

Në 2 mars 1444, në qytetin e Lezhës, që aso kohe ishte në zotërim të Venedikut, u mblodh kuvendi i prijsave të Albanisë, të cilët krijuan aleancën politike – ushtarake për t’u mbrojtur atdheun ndaj sulmeve të hordhive otomane. Në krye të Lidhjes, princat zgjodhën Gjergj Kastriotin Zoti i Albanisë dhe kryekomandant i ushtrisë arbërore. Për kontributet e shquara në rezistencën dhe luftimet kundër pushtuesve otomanë, në vitin 1445 Senati i Serenisima, e shpalli Gjergj Kastriotin “Qytetar Nderi i Veneto”. Në librin e Artë të patricëve të Serenissima të vitit 1463 “Le famiglie ammesse al Maggior Consiglio a titolo onorifico”, rezulton e regjistruar familja Castriotto-Kastrioti. Më 25 shtator 1463, Senati i Venedikut e shpalli qytetar nderi dhe anëtar të Këshillit të Lartë të Bujarëve Venedikas, Gjon II Kastriotin 8 vjeçar me diplomë të dhënë nga Dozha Kristoforo Moro, si e tregon Marin Sanudo, në veprën “Vitae dei Dogi 1423 – 1474” (Jetët e Dozheve): “A dì 25 settembrio 1463 fo preso parte in Gran Conseio che il magnifico e potente Juan Scandarbeg, fiol del signor Zorzi signore in l’Albania et sui eredi siano fatti del Mazor Conseio” “Ditën e 25 shtatorit 1463, mori pjesë në Këshillin e Madh, i madhërishmi dhe i fuqishmi Gjon Kastrioti, i biri i Gjergj Kastriotit, Zoti i Albanisë, si trashegimtar i tij, u bë pjesë i Këshillit të Madh”. Më 13 dhjetor 1463, ambasadori i Albanisë në Venecia Pal Gaxulli, firmosi marrëveshjen me Këshillin e të Mençurve të Senatit Venecian, sipas të cilës, në rast se Albania pushtohej nga turqit dhe Gjergj me familjen e tij, detyroheshin të braktisnin atdheun, Serenissima i garantonte pension vjetor prej 500 dukate, mbrojtjen dhe jetesën e lirë në trojet e Venedikut: “Scanderbeg, cum uxore, liberi set famiglia honorifice vivere poterit”, me të drejtë të zgjidhte banimin në një nga ishujt, ose në vendin që deshironte.

E prezantova këtë aspekt të jetës të princit Gjergj Kastriotit, për të konfirmuar se nuk është rastësi, që medaljonet me portretin e tij u përfshinë në katalogun e Piero Voltolina, sepse Gjergj Kastrioti është pjesë e historisë së Italisë dhe e historisë të Serenissima, i renditur, në grupin e personaliteteve të Venecias në shekullin XV.

Në shekullin XV, në Itali janë prodhuar 8 medaljone me portretin e Gjergj Kastriotit.

Prodhimi i medaljoneve kërkonte aftësi të larta teknike dhe mjeshtëri në artin plastik, pra metalpunuesi duhej të ishte dhe artist. Mungojnë informacionet për këta mjeshtra mesjetarë, nuk njihen emërat e piktorëve, që i vizatuan portretet dhe as emërat e artistave që i prodhuan medaljonet e Gjergj Kastriotit.

Medaljonet me portretin e Gjergj Kastriotit janë renditur me numërat rendor 65, 66, 67 (faqe 85 – 87), me fotografi të origjinaleve dhe janë shoqëruar me skedën teknike dhe me një skedë historike, ku në mënyrë sintetike janë prezantuar të dhëna të shkurtëra bibliografike mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit. Të dhënat për Gjergj Kastriotin, autori Voltolina i ka marrë nga Enciklopedia Italiana Treccani (viti 1929) dhe nga vepra e Fan S. Noli: Scanderbeg, Lecce 1993. Vlen të preçizoj një pasaktësi të autorit Piero Voltolina, i cili shkruan Fan Sotir Noli, por në fakt emëri i të atit të Nolit është Stilian.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni këtu: TETË-MEDALJONE-ME-PORTRETIN-E-GJERGJ-KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT