Thaçi: Nëse rritet numri i personave të infektuarve me coronavirus do të kthehen masat e kufizimit

Shpërndaje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nëse vazhdon të rritet numri i të infektuarve me coronavirus, atëherë institucionet shëndetësore do të kthejnë prapë masat e kufizimit, transmeton Telegrafi.

Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, në mënyrë që të mos përhapet më shumë virusi COVID-19.

“Kemi rritje të numrit të infektuarve, kjo rrezikon krejt atë që ne e kemi arritur deri më tani, rrezikon ta përmbysë punën e mrekullueshme që kanë bërë mjekët, gjithë ata profesionistë që punuan natë e ditë në mënyrë që ta kalojmë më lehtë pandeminë. Përsëris rekomandimet që të mbahet distanca, të mbajmë maskat, sepse vetëm kështu ruajmë jetën tonë dhe jetën e të afërmeve tonë.
Institucionet e shtetit do të detyrohen të kthejnë masat për të parandaluar përhapjen e pandemisë. Kjo do ta dëmtojë shëndetin dhe ekonominë”, ka thënë Thaçi.

Ndryshe, në tri ditët e fundit në vendin tonë është rritur numri i personave të infektuar me coronavirus, gjithsej numri i personave të infektuar ka arritur në 1 mijë e 234.