The New York Times: Dështimi i takimit Kosovë-Serbi në Uashington, goditje për Trumpin

Shpërndaje

Shtëpia e Bardhë kishte planifikuar t’i priste presidentin e Serbisë, dhe atë të Kosovës, të shtunën. Pastaj, udhëheqësi i Kosovës u akuzua për krime lufte.

Kështu shkruan gazeta prestigjioze amerikane, The New York Times, në nëntitullin e shkrimit të saj më të ri.

“SHBA’ja shtyn samitin për paqe në Ballkan, merr goditje politika e jashtme e Trumpit”, titullohet artikulli i të përditshmes njujorkeze, rreth takimit mes Kosovës dhe Serbisë, që ishte planifikuar për 27 qershor, në Uashington.

Një iniciativë e ndërmjetësuar nga Amerika për ta stabilizuar Ballkanin, që administrata e presidentit Donald Trump shpresonte se do t’i jepte shkëlqim kredencialeve të saj të politikës së jashtme në një vit zgjedhor, është shtyrë, të enjten, pasi ndaj njërit prej pjesëmarrësve kryesorë, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u paralajmërua aktakuzë për krime lufte, shkruan The New York Times, të enjten.

Thaçi pritej të takohej të shtunën në Shtëpinë e Bardhë me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në një samit të ndërmjetësuar nga Richard Grenell, emisar i presidentit Trump. Zyrtarët amerikanë shpresonin se takimi do të mund t’i hapte rrugë zgjidhjes së tensioneve të moçme ndërmjet dy shteteve ballkanike, thekson gazeta amerikane, ndër të tjera.