Urrejtja dhe hajnia e verbojnë dritën e lirisë

Shpërndaje

Për situatën aktuale në Kosovë dhe rreth saj

URREJTJA DHE HAJNIA E VERBOJNË DRITËN E LIRISË

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Në lidhje me situatën e re të krijuar në Kosovë dhe rreth saj, mos u ngutni me komente dhe vlerësime sipas bindjeve, shijeve dhe interesave personale, meqë diplomacia nuk është çështje emocionesh, politikë ditore, përmbledhje lajmesh dhe informacione të medieve dhe rrjeteve sociale. Në diplomaci, qëllimet janë të qarta, ndërsa rrugët dhe mjetet janë gjithmonë të padukshme, sidomos për ata që nuk shikojnë me syrin e mendjes, por me emocione nën ndikimin e faktorëve të jashtëm, duke i shndërruar ata në persona pa gjykime të veta të argumentuara dhe në mjete të thjeshta të propagandës.

Në rrethanat aktuale, kur tanimë shihet qartë një përplasje e madhe mes fuqive të mëdha të botës, në luftën e tyre për dominim, çdo manovër diplomatike në lidhje me Kosovën, vetëm sa ia rrit vlerën shtetit të Kosovës dhe çështjes shqiptare në rajon dhe në arenën ndërkombëtare, duke e përshpejtuar njohjen e plotë ndërkombëtare të shtetit të Kosovës dhe zgjidhjen sa më të mirë të problemeve të hapura me shtetet fqinje.

Goditjet anësore gjatë këtij rrugëtimi, deri në arritjen e qëllimit final, nuk mund ta ndalin këtë rrugë, as ta nxijnë të kaluarën e lavdishme, Luftën çlirimtare dhe as pavarësinë e shtetit të Kosovës, përkundrazi, hapin rrugë dhe shtigje për një të ardhme më të ndritur të Kosovës dhe popullit të saj.

Në këtë situatë, askush nuk duhet të bëjë komente vajtuese, vlerësime qesharake, ose të bëjë avokatin e askujt pa nevojë, përderisa ende nuk janë tharë lumenjtë e gjakut të derdhur për këtë dritë lirie mbi të sotmen dhe të ardhmen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Planet dhe strategjitë që janë përgatitur me vite e dekada më parë, nga faktorë tepër të fuqishëm të botës, aleatë të dëshmuar të popullit shqiptar, shumë përpara se të kenë lindur shumica e vlerësuesve dhe komentuesve të sotëm të çastit, nuk korrespondojnë me punën dhe rregullat e diplomacisë, me mendësinë e qytetërimit bashkëkohor, por janë pjesë e mentalitetit tonë ballkanik, që ka krijuar gjithë këtë mjegullnajë propagande brenda vetes sonë, jo edhe në ndërgjegjen e diplomacisë ndërkombëtare, e cila vepron dhe sjell vendime të mençura, të nevojshme, të prera dhe të dobishme, në kohën e duhur, siç edhe janë planifikuar të ndodhin, pa pasur asnjë fuqi të jashtme që mund të ndërhyjë, të ndikojë ose t’i ndryshojë ato vendime. Së paku këtë mësim është dashur ta mësojmë mirë dhe në kohë nga historia dhe politika.

Mos u gëzoni në fatkeqësinë e askujt, as mos jetoni me urrejtje, por rrituni me krenari dhe me lavdinë e atyre që janë shenjtëruar në altarin e lirisë për pavarësinë e shtetit të Kosovës, dhe mos e harroni as dorën e miqve tanë, që na e zgjatën në buzë të greminës, aty ku armiqtë na kishin sjellë me ndihmën edhe të mercenarëve brenda sojit, për zhbërjen e qenies sonë!

Zoti nuk harron dhe nuk i fal krimet, mos i falni dhe mos i harroni as Ju!

(26.VI.2020)