Xharra: E ardhmja e dialogut me Serbinë, si e kaluara me pak marrëveshje të implementuara

Shpërndaje

Drejtoresha e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, Jeta Xharra ka thënë se e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi duhet të mendohet duke parë të kaluarën.

Në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Xharra theksoi se prej fillimit të këtij procesi më 2011-n, vetëm 30 për qind e marrëveshjeve mes të dyja vendeve janë implementuar, nga 30 sa janë nënshkruar në tërësi.

“Pas 7 vjetëve dialog që u ndal ai dhe 2 vjetëve bisedë për dialog, unë frikësohem që e ardhmja është pak a shumë e ngjajshme si e kalumja. Prej dhjetorit janë nënshkruar edhe tri marrëveshje; për hekurudha, për aeroplanë, për rrugë. Asnjë gurë s’la lëviz në ato marrëveshje. Fotografi të mira janë bo. U mytëm tu pa fotografi, substancë e diçka të mirë nuk na kanë sjellë këto marrëveshje”, tha ajo.

Xharra përmendi monitorimin e marrëveshjeve që ka bërë BIRN-i bashkë me organizata të tjera në Beograd në vitin 2014.

Sipas saj, raporti ka treguar se deri në atë kohë vetëm 30 për qind e marrëveshjeve ishin implementuar.

“Në vitin 2014  e patëm themelu formën e moitorimit të këtyre marrëveshjeve të quajtura ‘Big deal’. Ramë në konkludim që ishin, edhe sot vazhdon e njëjta me qenë, vetëm 30 për qind të marrëveshjeve që kanë nis prej 2011 janë të implementune. Kemi 8 vjet 30 për qind të marrëveshjeve, nëse vazhdon kështu, paska me zgjat edhe 10 vjet me u implementu marrëveshjet tjera”, theksoi ajo.

Drejtoresha e BIRN-it në Kosovë, ka shtuar një prej marrëveshjeve kryesore e nënshkruar me Serbinë, është ajo për energjinë dhe e cila nuk është implementuar asnjëherë.

“Për mu ma kryesore është marrëveshja për energji, sepse ajo do të ndikonte në çmimin e rrymës që e paguajnë qytetarët e Kosovës. Prej 2011 është nënshkruar një marrëveshje, më 2020 jemi kjo marrëveshje nuk është implemntu. Sot e kësaj dite ne nuk e kemi krejt fuqinë mbi energjinë, që është dashur deri tash me u realizu”, tha ajo në RTV Dukagjini.