4 vite nga vdekja e Almir Aliut, gjykimi akoma në proces

Shpërndaje

Katër vite nga vdekja e Almir Aliut nga Kumanova. Familjarët e tij akoma enden nëpër labirintet gjyqësore për të kërkuar drejtësi për 4-vjeçarin i cili më 26 qershor të vitit 2016 u godit me makinë nga Boban Iliq dhe më 1 korrik iu dorëzua plagëve.

Procesi gjyqësorë ka ngecur në Gjykatën e Apelit, pas ankesës së aktvendimit të shkallës së parë në Kumanovë ku Boban Iliq u dënua me 6 vite bu*rg, ndërsa familjarët e Almirit, përfshi prindin e tij, Sedat Aliun me nga 6-9 muaj bu*rg efektiv. Jo zyrtarisht flitet që Apeli i ka ulur dënimin Iliqit nga 6 në 4 vite bu*rg, por akoma nuk ka një version zyrtarë.

Procesi gjyqësorë për vr*asjen e Almirit që nga viti 2016 dhe sot e kësaj dite është përcjell me parregullsi dhe anshmëri. Pas vendimit të Gjykatës Themelore të Kumanovës, Apeli ktheu lëndën ne rigjykim, por gjykatësja Maja Denkoska përsëriti vendimin e njëjtë mbi akuzën e përfaqësuar nga Suzana Kusigerska.

Organi akuzës fillimisht ndiqte Iliqin për veprën penale “vr*asje”, por ekspertizat neuropsikiatrike që më vonë u dëshmua të jenë përgatitur nga ekspertë pa licenca ndikuan që vepra të rikualifikohej nga “vr*asje” në “vepër të rëndë kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”.

Ky rikualifikim kishte nxitur reagime në opinion, ndërsa grupi parlamentar i BDl-së kishte propozuar Komision anketues në Kuvend i cili nuk u thirr asnjëherë. Mbrojtja juridike e familjes Aliu kishte propozuar dëshmi relevante dhe dëshmitarë okularë, por gjykata nuk i kishte pranuar. Ndërkohë, mbrojta e familjes Iliq kërkonte lirimin nga akuza të Boban Iliq pasi sipas avokatit tij Stevan Pavllevski, Iliq veprën e ka kryer në rrethana të nevojës ekstreme dhe se ky veprim i tij nuk ka bazë për ndjekje penale.

Në akuzë nuk ishte përfshi vëllai i Boban Iliq edhe pse në incizimet nga kamerat e sigurisë mbi të cilat ishte bazuat pista e hetimit dhe akuza, Bojan Iliq vërehet me shufër hekuri duke goditur familjarët e Almirit. Familjes Iliq i ishte kthyer edhe makina me të cilën ishte goditur Almiri 4 vjeçar edhe pse në këtë rast sipas ekspertëve makina ishte mjet prove për vrasjen me paramendim./alsat/