A do të formojë parti të re politike pas shkarkimit në LDK? Flet Vjosa Osmani

Shpërndaje

Osmani ka treguar se a do të formojë parti të re politike pas shkarkimit në LDK.

Vjosa Osmani do të vazhdojë të jetë e angazhuar politikisht, megjithëse nuk është e ditur saktësisht se në cilën parti.

Ajo tha se të ardhmen e saj politike duhet ta mendojë më gjatë dhe se nuk do ta merr vetë vendimin.

Megjithatë, Osmani s’e përjashtoi as krijimin e një partie të re e as bashkimin me ndonjë parti tjetër.

“Do ta vazhdoj angazhimin tim politik. Pas përjashtimit nga posti i nënkryetares së LDK-së s’është që ka mbetur hapësirë për bashkëpunim. Nuk kam ndonjë mëri personale ndaj asnjërit në LDK”, ka thënë ajo në Klan Kosova.

“Cili do të jetë angazhimi im politik? Është çështje që kërkon më shumë kohë. S’janë vendime që mund të merren vetë sepse kam bashkëpunëtorë në LDK që komunikoj çdo ditë. Ka njerëz edhe jashtë në shoqërinë civile që më kanë përkrahur në vazhdimësi. Nuk është çështje që është vendosur. Nuk jemi në një situatë që mund të thuhet për këtë opsion apo atë tjetër”.

Kryeparlamentarja klasifikoi në tri grupe partitë politike.

“Të kemi një dallim të qartë sepse tashmë lufta politike s’është mes disa partive. Është luftë mes dy koncepteve – njëri që e ka më seriozisht çkapjen e shtetit, s’po e them si klishe por si domosdoshmëri , tjetri një grup që e kanë zhvatë shtetin që 20 vjet dhe të tjerët që iu shkojnë pas zhvatësve”.

Osmani tha se LDK është dëmtuar shumë edhe për mosmbajtjen e premtimeve të dhëna në zgjedhjet e 6 tetorit, por edhe për shkak të përjashtimit të saj.

“Elektorati i LDK-së është i shkëlqyeshëm dhe duhet të pyetet nëse dëshiron të vazhdojë me një koncept politik që LDK të shihet si akter për çkapjen e shtetit apo të jetë patericë politike e Thaçit”.