‘Armata’ e zv.ministrave në MPB: 4 burra zëvendësministra në Ministrinë e Agim Veliut

Shpërndaje

Deri më tani, në ministrinë e Punëve të Brendshme, që drejtohet nga Agim veliu i LDK-së, janë emëruar katër zëvendësministra.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ku ministri Veliu mban postin e nënkryetarit, para e gjatë zgjedhjeve të fundit nacionale kishte premtuar në vazhdimësi qeveri të vogël për nga numri i zv/kryeministrave, ministrive e zv/ministrave.

Por, ky premtim tani që Avdullah Hoti drejton ekzekutivin kosovar nuk po mbahet.

Në një për përgjigje për KALLXO.com, zyra e kryeministrit Hoti ka konfirmuar që në dikasterin e Punëve të Brendshme janë emëruar deri më tani katër zëvendësministra, Zafir Berisha nga partia Nisma Socialdemokrate, Yildiray Bayram nga KDTP, Agron Bacaj nga partia e Ramush Hardinajt, AAK dhe Milan Radojeviç nga Lista Serbe.

Asnjëri nga zëvendësministrat e emëruar në ministrinë e Agim Veliut nuk është grua. Gra si zv/ministre nuk u emëruan as në dikasterin e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Arban Abrashi i LDK-së.

Kryeministri Hoti, sa ishte Shef i Grupit Parlamentar të LDK-së në opozitë, ditën kur u shpërnda Kuvendi i Kosovës, më 22 gusht, e quajti qeverinë Haradinaj si më të madhen në botë. Krejt emërimet, sipas tij, i kushtonin shumë kuletës së shtetit.

“Qeveria e PAN-it do të mbetet në histori si qeveria më e madhe në botë. Më 454 të emëruar politik, kryeministri me 35 këshilltar, 5 zv/kryeministra me 55 këshilltar, 21 ministri me 147 këshilltar, 80 zëvendësministra me 80 këshilltar të tyre, me pesë koordinator me nën koordinator dhe me asistentë e nën koordinator dhe përtej këtyre janë punësua edhe 1 mijë 200 veta me kontratë, prej cilëve 95 në zyrën e kryeministrit dhe 200 të tjerë në Telekom”, kishte thënë Avdullah Hoti nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Por, deri më tani, ekzekutivi që ai drejton ka emëruar 46 zëvëndësministra. Në disa prej ministrive, janë emëruar deri në 5 zv/ministra.

Në ministrinë e Kulturës, Rinës dhe Sportit janë emëruar pesë zv/ministra, aq janë emëruar edhe në ministrinë e Infrastrukturës.