Asnjë parti nuk ka dorëzuar padi në Gjykatën administrative

Shpërndaje

Pasi KShZ hodhi poshtë 1478 ankesat e parashtruara nga Partia “E Majta” për zgjedhjet e 15 korrikut, nga kjo parti kanë paralajmëruar se do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për t’u ankuar në Gjykatën Administrative.

“Procedimet gjyqësore në Gjykatën Administrative do të pasojnë nesër. Por me vulë”,- shkruan në facebook kryetari i së Majtës, Dimitar Apasiev.

Në VMRO-DPMNE pritet që Komisioni juridik i partisë të vendosë nëse do t’i drejtohen Gjykatës Administrative.

Ndërkohë, bartësi i listës në Njësinë Zgjedhore 2 nga Koalicioni “Asnjëherë e Veriut, vetëm Maqedoni”, Jove Kekenovski, ka ngritur kallëzime penale kundër kryetarit dhe anëtarëve të KShZ-së nën akuzën për shkelje të së drejtës së votës. Sipas tij, në listën zgjedhore fare nuk ekziston emri i koalicionit me të cilin janë qasur në zgjedhje.

“Me këtë konsiderojmë se është bërë një keqpërdorim klasik i detyrës zyrtare, përkatësisht mund të themi se autorët e këtyre veprave penale, më saktësisht kryetari dhe të gjithë anëtarët e tjerë të KShZ-së kanë kryer vepër penale dhe me vetëdije është bërë mashtrim për votuesit dhe janë pamundësuar që ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar.”,- u shpreh Jove Kekenovski nga Koalicioni “Asnjëherë e veriut, vetëm Maqedoni”.

Nga momenti që subjektet politike do t’i marrin vendimet nga KShZ, kanë afat prej 48 orë që të parashtrojnë ankesë deri te Gjykata Administrative, teksa kjo e fundit në afat prej 60 orësh duhet të vendosë mbi ankesat e parashtruesve.