Daçiq kemi ndalur fushatën për çnjohje sepse Kosova ka ndalur përpjekjet për njohje

Shpërndaje

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se shteti serb ka pezulluar fushatën e çnjohjeve pasi Kosova ka premtuar se nuk do të lobojë për njohje të reja dhe përpjekje për anëtarësimin nëpër organizata ndërkombëtare.

Daçiq këto deklarata i dha për gazetën serbe, Blic.

Kreu i diplomacisë serbe nuk beson se Kosova do t’i përmbahet kësaj “marrëveshjeje”, dhe se Serbia është e gatshme të reagojë në rast që prishet marrëveshja nga fushata lobuese e Kosovës për njohje të reja.

“Ne kemi ndalur përkohësisht fushatën e tërheqjes së njohjeve të Kosovës sepse Prishtina gjithashtu është zotuar se nuk do të zhvillojë një fushatë për njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne nuk besojmë se ata do t’i përmbahen asaj. Dhe ne jemi të gatshëm të vazhdojmë nëse ato prishin marrëveshjen. Me këtë veprim, ne kemi ulur numrin e vendeve që e njohin Kosovën në më pak se gjysmën e anëtarëve të KB, dhe sot ata mund të marrin 92 vota nga 193 për ta në të mirë. Kjo është arsyeja pse është një gjemb i madh në anën e tyre”, tha Daçiq.

Ivica Daçiq po ashtu ka komentuar mundësinë e një marrëveshjeje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij është larg një marrëveshje e tillë dhe se nuk është diskutuar.

“Ne jemi larg nga kjo. Askush nuk e di se çfarë duhet të shkruhet në marrëveshje, as nuk është diskutuar. Nëse do ta kuptoja saktë, do të diskutohet nga shtatori”, deklaroi Daçiq.

I pari i diplomacisë serbe thotë se një marrëveshje të tillë Serbia do ta nënshkruajë nëse është në interes të Serbisë dhe sipas tij edhe në “interes” të popullit të Kosovës.

“Nëse është në interes të Serbisë dhe popullit të Kosovës, po”, i pyetur rreth mundësive për t’u nënshkruar marrëveshja finale Kosovë-Serbi. /Insajderi.com/