“Gra si Hatije Etemi i duhen Maqedonisë së Veriut, ajo duhet mbështetur”

Shpërndaje

Shkruan: Medail Saoli

Portret veprimtaresh femra në MV

“Patriotizëm tash nuk është të largohesh, patriotizëm është të qëndrosh në vendlindje”

Hatije Etemi

Si rëndom jemi mësuar të dëgjojmë dhe të mësojmë gjithandej nëpër MV për veprimtarë meshkuj dhe aktivitetet e tyre në mbarë vendin dhe fare rrallë hasim të pasqyrohet aktiviteti i femrave shqiptare (parë jashtë përkatësisë partiake) në shërbim të çështjes shqiptare.

Një nga këto veprimtare që bie në sy në qytetin e Tetovës është edhe Hatije Etemi, këshilltare aktive e komunës së Tetovës dhe kandidate për deputet.

Veprimtarinë e saj politike dhe atdhetare në shërbim të kombit ajo e ka filluar që nga vitet e shkollës së mesme e deri më sot.

Sfidat në mbrojtje të UT kanë qenë vështirësitë e para të Hatijes me bashkëveprimtarët e saj në përballje me forcat e errta që nuk arrinin dot të kuptonin dhe të pranonin arsimimin e shqiptarëve në nivel universitar në gjuhën shqipe.

Ishte koha kur vullneti dhe dëshira për të mësuar në gjuhën shqipe edhe në arsimin e lart shihej si herezi nga ana e pushtetit të atëhershëm.

Por, kishte edhe nga ata lider shqiptar që deklaronin se ata për vete e kanë kryer fakultetin dhe se nuk i interesonte kauza për Universitet në gjuhën shqipe.

Zgjedhja si këshilltare e komunës së Tetovës për Hatijen ishte hyrja direkt në politikë dhe një përgjegjësi më shumë që ajo u vu në ballë të denoncimit të fenomeneve negative në komunë si dhe të parashtrimit të shumë problemeve të infrastrukurës dhe kushteve higjienike që i rëndojnë disa lagje të qytetit.

Kritikat me vend për kushtet e mjerueshme të spitalit të qytetit ndaj organeve komunale i shtynë segmente të caktuara nga udhëheqja komunale në krye me Teutën DUI-it, ta shantazhojnë Hatijen duke e thirrur në ”bisedat informative” në stacionin policor për t’ia ndalur hovin përpjekjeve të saja në luftën e nisur tashmë për dinjitet njerëzor, për kushte më të mira në spitale dhe në ambiente publike si dhe për më shumë drejtësi dhe barazi.

Kërkesat e ligjshme për ndërrimin e emrave të rrugëve dhe shkollave të komunës së Tetovës, nga emra që nuk kanë të bëjnë me kulturën dhe historinë e shumicës shqiptare në emra që përfaqësojnë kulturën dhe historinë kombëtare shqiptare, mbajnë edhe firmën e Hatijes si veprimtare e çështjes shqiptare në këtë komunë.

Mes shumë femrave shqiptare të Pollogut Hatije Etemi është një veprimtare dhe një zë i fuqishëm i qytetit të Tetovës dhe më gjerë që duhet dëgjuar dhe mbështetur.