Haxhi në epokën e pandemisë COVID-19, do të jetë ndryshe si asnjëherë më parë

Shpërndaje

Pelegrinët që marrin pjesë këtë vit në Haxh, parashihet të respektojnë rregullat e distancimit për shkak të pandemisë së coronavirusit.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, besimtarët duhet të rrethojnë xhaminë madhështore të Mekës me 1.5 metra hapësirë midis tyre.

Këtë vit pelegrinazhi vjetor i Haxhit do të jetë ndryshe, ku ceremonia pritet të fillojë të mërkurën.

Arabia Saudite zvogëloi në mënyrë dramatike numrin e pelegrinëve të cilët do të marrin pjesë në Haxh, sakaq parashihet që rituali të pranojë vetëm 1,000 besimtarë nga 2 milionë.

Si rezultat, pelegrinët e këtij viti u zgjodhën përmes një sistemi, i cili vlente vetëm për banorët e mbretërisë.

“Është një moment i bukur për mua”, tha Faridah Binti Bakti Yahra, një nënë 39-vjeçare nga Indonezia, e cila u befasua shumë kur e njoftuan se ishte përzgjedhur për ndjekjen e ritualit në Haxh.

“Nuk mund të besoja se ishte e vërtetë”, u shpreh ajo.

Haxhi është një nga pesë shtyllat e fesë islame, ndërsa secili besimtar që posedon kushtet ekonomike obligohet të shkojë së paku një herë në jetën e tij.

Pelegrinët shpesh kursejnë para për vite të tëra dhe aplikojnë në mënyrë të vazhdueshme për të marrë pjesë.

Arabia Saudite e cila ka raportuar deri më tani 270 mijë raste, u detyrua të reduktojë numrin e pelegrinëve në Haxh, në mënyrë që vendi të shmangë turmat e njerëzve.