Hoxha: Ideja e BDl-së që ministrat të deponojnë dorëheqjet nga dita e emërimit, mendësi e diktaturës komuniste

Shpërndaje

Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Besa, Arjanit Hoxha, ka reaguar ndaj deklaratës së kandidatit të BDl-së për kryeministër shqiptar, Naser Ziberi. Ziberi sot nëpërmjet një konference për shtyp tha se nga dita e parë e emërimit të ministrave dhe zëvendësministrave të rinj në qeverisjen e BDl-së, do të kërkojë deponimin e dorëheqjeve në ditën e emërimit të tyre.

Me këtë konstatim nuk pajtohet Arjanit Hoxha. Ideja e deponimit të dorëheqjeve nga ministrat e porsazgjedhur, sipas tij, në kushtet e demokracisë parlamentare do të thotë se kryeministri dëshiron të bëhet sipas asaj thënies popullore “vet Ali dhe vet Kadi”.

”Ideja e deponimit të dorheqjeve nga ministrat e posazgjedhur (që i voton Kuvendi dhe jo Kryeministri) në kushtet e demokracisë parlamentare do të thotë se Kryeministri dëshiron të bëhet sipas asaj thënies popullore “vet Ali dhe vet Kadi”, thotë ndër të tjera Hoxha.

Hoxha shton se, kjo është mendësi që buron nga ish-mentaliteti i partisë së punës.

”Nuk duam diktaturë dhe kryeministër partiak që me ministrat do sillet si në bankat e shkollave apo si në mbledhjet e partisë së punës”, shprehet sekretari i Lëvizjes Besa.